Në ujërat e Papua Guinesë së re, pas 103 viteve janë gjetur mbetjet e nëndetëses së parë të Australisë HMAS AE-1, e cila ishte zhdukur me ekuipazhin prej 35 personash gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ministrja australiane e Mbrojtjes, Marise Payne, njoftoi se nëndetësja e zhdukur më 14 shtator të vitit 1914 është gjetur në 300 metra thellësi, në ujërat e Ishujve Duke of York të Papua Guinesë së Re.
Me gjetjen e mbetjeve, Payne tha se është zgjidhur një mister i lashtë detar i Australisë.
“Besoj se gjetja e mbetjeve do të sjellë paqe për të afërmit e atyre që humbën jetën në nëndetëse. Mbase me kalimin e kohës mund t’i zbulojmë edhe shkaqet e zhdukjes”, tha Payne.
E gjatë 55 metra, nëndetësja HMAS AE-1, e cila ishte e para në flotën e nëndetësve australiane, ishte zhdukur teksa po kryente patrullë për Forcat Aleate, shkruan aa. Edhe më herët janë kryer 12 kërkime në kohëra të ndryshme për gjetjen e HMAS AE-1, por nuk ishte rastisur në asnjë gjurmë të saj.
Mbetjet e nëndetëses u gjetën në saje të disa kamerave të dërguara në fund të detit gjatë disa punimeve të nisura javën e kaluar nga anija hulumtuese MV Fugro Ekuator e kompanisë holandeze Fugro.
Australia do ta mbajë të fshehtë lokacionin e HMAS AE-1 deri në përfundimin e punimeve që do t’i zhvillojë së bashku me Papua Guinenë e Re, me qëllim që të ruhet zona ku janë gjetur mbetjet. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re