Qeveria libiane bëri të ditur sot se një varr i ri masiv u gjet në qytetin jugperëndimor të Libisë, Tarhuna, i cili u çlirua së fundmi nga milicitë e komandantit puçist Khalifa Haftar.

“Varri u zbulua në zonën Alrabet, një ish-fortesë e milicisë së Haftarit në qytet”, tha Lutfi Tawfiq, drejtori i Autoritetit të Përgjithshëm për Kërkimin dhe Identifikimin e Personave të Zhdukur.

Ai tha se vazhdojnë përpjekjet për të zhvarrosur trupat brenda varrit.

Javën e kaluar, autoritetet libiane zbuluan pesë varre masive në të njëjtën zonë në Tarhuna ku u zhvarrosën 12 trupa.

Qeveria libiane ka zbuluar disa varre masive në Tripoli dhe Tarhuna pas humbjes së Haftarit në ofensivën e tij të fundit në Tripoli.

Autoritetet libiane thonë se milicia e Haftar dhe mercenarët aleatë kanë kryer disa krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në periudhën midis prillit 2019 dhe qershorit 2020.

Më 16 qershor, qeveria libiane gjeti 226 trupa të pajetë në varre masive në Tarhuna dhe në jug të Tripolit.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) u themelua në vitin 2015 sipas marrëveshjes së udhëhequr nga OKB, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të ofensivës ushtarake të Haftarit.

OKB e njeh qeverinë e kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritetin legjitim të vendit pasi Tripoli zyrtar ka luftuar me milicitë e Haftarit që nga prilli i vitit 2019 në një konflikt që ka shkaktuar vdekjen e mijëra personave.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re