Skip to content

Gjendet varr masiv me 50 kufoma në Kirkuk, pohohet të jenë persona të vrarë nga DEASH

Një varr masiv me 50 kufoma për të cilët dyshohet të jenë vrarë nga organizata terroriste DAESH u gjet afër rajonit Rashad në jug të provincës së Kirkukut në Irak.

Duke folur për AA, Komandanti i Operacioneve të Kirkukut, Gjeneral Lejtnant Saad Harbiye, deklaroi se një varr masiv me trupat e 50 personave të vrarë nga DAESH u gjet në pjesën rurale të rajonit Rashad pranë qytetit Hawija.

Ai tha se varri masiv u zbulua gjatë operacioneve të Forcës Federale të Policisë së Irakut në rajon, duke shtuar se kanë filluar punimet për nxjerrjen e kufomave.

Harbiye deklaroi se ende nuk dihet saktësisht se kujt i përkasin kufomat, por tha se hetimet në lidhje me identifikimin kanë filluar.

Ish-kryeministri irakian Haider al-Abadi njoftoi fitoren mbi organizatën terroriste DEASH më 9 dhjetor 2017.

Megjithëse kanë kaluar tre vjet që kur DAESH u dëbua nga rajoni dhe qytetet u morën përsëri nën kontroll, sulmet e organizatës vazhdojnë, veçanërisht në zonat rurale të provincave Kirkuk, Diyala, Mosul, Salahaddin dhe Anbar.

AA