Islanda shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pasi rreth 4,000 tërmete të vogla dhe mesatare tronditën gadishullin jugperëndimor të vendit Reykjanes. Tërmeti më i madh është regjistruar me magnitudë 5.2 ballë.

Islanda shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të premten pasi një seri tërmetesh të vogla dhe mesatare tronditën gadishullin jugperëndimor të vendit Reykjanes. Në një deklaratë zyrtare, autoritetet islandeze paralajmëruan se aktiviteti sizmik mund të rezultojë gjithashtu në shpërthime vullkanike.

Në deklaratë thuhej: “Shefi i policisë kombëtare po shpall gjendjen e jashtëzakonshme për mbrojtjen civile për shkak të aktivitetit intensiv sizmik në Sundhnjukagigar, në veri të Grindavik-ut. Lëkundjet mund të bëhen më të forta se ato të mëparshmet dhe kjo seri ngjarjesh mund të çojë në një shpërthim”, shtohet në deklaratë.

Zyra Meteorologjike Islandeze (IMO) tha se mund të ketë shpërthime të mundshme vullkanike në Islandë “për disa ditë”.

Të premten, gadishulli jugperëndimor Reykjanes u godit nga rreth 4,000 tërmete të vogla dhe mesatare. Sipas të dhënave paraprake nga IMO, tërmeti më i madh ka qenë me magnitudë 5.2 ballë, në veri të Grindavik, një fshat në gadishullin Reykjanes.

Sipas IMO, rreth 24,000 tërmete janë regjistruar në gadishull që nga fundi i tetorit, me pothuajse 800 të regjistruar nga mesnata deri në orën 14:00 të së premtes.

Banja gjeotermale Blue Laguna, një nga atraksionet më të mëdha turistike të Islandës, është mbyllur përkohësisht për shkak të shpërthimeve të mundshme.

Zonë e re aktive

Shërbimi i mbrojtjes civile të Islandës dërgoi anije patrullimi në vendin e tërmetit në Grindavik “për arsye sigurie”.

Përveç kësaj, strehimoret dhe qendrat e ndihmës emergjente do të hapen në Grindavik të premten, si dhe në tre vende të tjera në Islandën jugore për qëllime informacioni dhe për të ndihmuar njerëzit në lëvizje.

Reykjanes, pikë e nxehtë e shpërthimeve vullkanike

Që nga viti 2021, tre shpërthime kanë tronditur gadishullin Reykjanes. E para ishte në mars 2021, më pas në gusht 2022 dhe e treta në korrik 2023.

Është e rëndësishme të theksohet se Islanda ka 33 sisteme vullkanike aktive, që është më së shumti në Evropë.

Përpara shpërthimit të marsit 2021 në zonën e pashfrytëzuar rreth malit Fagradalsfjall, sistemi vullkanik Reykjanes kishte qenë i qetë për tetë shekuj. Në prill të vitit 2010, më shumë se dhjetë milionë njerëz u bllokuan pasi rreth 100,000 fluturime në mbarë botën u anuluan për shkak të një shpërthimi masiv vullkanik në Islandën jugore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re