Pak minuta pas mesnatës, një zjarr masiv përfshiu një qendër tregtare në Ferizaj, e cila alarmoi të gjithë qytetin. Flakët përfshinë të gjithë qendrën, ndërsa në krah të godinës ndodhej një karburant, duke e bërë kësisoj situatën edhe më shqetësuese.

Ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë që zjarri të vihet nën kontroll brenda në kohë. Fatmirësisht nga të dhënat e deritanishme, asnjë person nuk rezulton të ketë qenë në objekt.

Siç u shpreh dhe një prej zjarrfikësve gjatë orëve të mbrëmjes, për marrjen nën kontroll të situatës është dashur dhe ardhja e njësiteve të tjera zjarrfikëse nga zonat pranë Ferizajt.

“Sonte ka qenë gjendja e jashtëzakonshme. Ka pasur zjarrfikës që kanë ardhur nga shtëpia për të na ndihmuar. Përpos zjarrfikësave nga Ferizaj janë mobilizuar edhe zjarrfikësat nga Shtimja, Kaçaniku, Gjilani dhe Vitia. Deri më tani (ora 01:00 e mëngjesit) sa kemi informacion nuk ka persona të lënduar të cilët kanë mundur të ngecin brenda. Në perimetër prej 20 metrash ka qenë edhe karburanti, pra ke qenë gjendja e jashtëzakonshme.”-tregoi në orët e vonat një prej zjarrfikësve në intervistë për Klankosova.

Mbeten ende të paqarta shkaqet e zjarrit që kaploi godinën në Ferizaj, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbuluar se kush i solli flakët. Dëmet e shkaktuara janë të mëdha, pasi godina është bërë shkrumb e hi, ashtu siç tregojnë fotot e mëposhtme.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt deklaroi për median se ekipet e zjarrfikësve e policisë kanë qëndruar deri pas orës 4 të mëngjesit, derisa flakët e vatrat janë vënë nën kontroll.

“Zjarri e ka kapluar pothuajse të gjithë objektin. Ekipet e zjarrfikësve kanë qëndruar aty deri pas orës 4, pasi është hapësirë goxha e madhe. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar”, ka deklaruar zëdhënësi Veseli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re