Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) publikoi një përkufizim zyrtar klinik për Covidin e zgjatur, i cili konsiderohet si “gjendja pas Covid-19” dhe zakonisht ndodh tre muaj nga fillimi i Covid me simptoma që zgjasin të paktën dy muaj.

“Simptomat e zakonshme përfshijnë lodhje, gulçim, mosfunksionim njohës, por edhe të tjera që në përgjithësi kanë ndikim në funksionimin e përditshëm. Simptomat mund të jenë të reja, pas rimëkëmbjes fillestare nga episodi akut, ose vazhdojnë nga sëmundja fillestare. Simptomat gjithashtu mund të luhaten ose të përsëriten me kalimin e kohës,” shpjegoi Dr. Janet Diaz, drejtoresha e Menaxhimit Klinik në OBSH.

Ajo shtoi se përkufizimi klinik është “një hap i rëndësishëm përpara për të standardizuar njohjen e pacientëve që jetojnë me gjendjen pas Covid-19.”

“Shpresojmë se do të ndihmojë punonjësit e shëndetit të njohin pacientët. Shpresojmë që politikëbërësit dhe sistemet shëndetësore të krijojnë dhe zbatojnë modele të integruara të kujdesit për t’u kujdesur për këta pacientë.”

OBSH theksoi se përkufizimi mund të ndryshojë teksa dalin prova të reja “dhe kuptimi ynë për pasojat e Covid-19 vazhdon të evoluojë.”

Një në tre persona të infektuar me koronavirus do të përjetojë të paktën një simptomë të Covidit të zgjatur, sugjeroi një studim i ri. Së fundmi, studiuesit në Universitetin e Oksfordit, Institutin për Kërkime Shëndetësore (NIHR) dhe Qendrën e Kërkimeve Biomjekësore Shëndetësore të Oksfordit (BRC) hodhën dritë mbi problemin pasi studiuan më shumë se 270,000 njerëz të shëruar nga koronavirusi në SHBA.

“Rezultatet konfirmojnë se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve, të të gjitha moshave, mund të preken nga një sërë simptomash dhe vështirësish në gjashtë muajt pas infektimit me Covid-19. Mbi një e treta e pacientëve u diagnostikuan me të paktën një nga simptomat e Covidit të zgjatur midis tre dhe gjashtë muaj pas sëmundjes së tyre,” tha (via Guardian) Dr. Max Taquet.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re