Sekretari amerikan i Mbrojtjes Hegseth, kërkon ndalimin e shpenzimeve të tepërta pas raportit që zbulon blerjen e sasive të mëdha të karavidheve dhe bërxollave me paratë e taksapaguesve.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, shpenzoi një shifër rekord prej 93.4 miliardë dollarësh vetëm në shtator 2025, si pjesë e një vale të ethshme shpenzimesh në fund të vitit fiskal për të garantuar ruajtjen e financimit të tij të jashtëzakonshëm.

Sipas një raporti të publikuar të martën nga grupi mbikëqyrës jopartiak Open the Books, kjo “furi” shpenzimesh përfshinte miliona dollarë të taksapaguesve të përdorur për artikuj ushqimorë luksozë.

Ndonëse pjesa dërrmuese e kësaj shume shkoi për grante dhe kontrata ushtarake, menuja e Pentagonit për këtë muaj ishte veçanërisht e kushtueshme. Raporti specifikon se u shpenzuan 15.1 milionë dollarë për bërxolla viçi, 6.9 milionë dollarë për bishta karavidhesh dhe 2 milionë dollarë për gaforret ”mbretërore” të Alaskës.

Përveç këtyre, ushtria amerikane shpenzoi 1 milion dollarë për salmon, 139.224 dollarë për 272 porosi petullash, 124.000 dollarë për makina akulloreje dhe 26.000 dollarë për tavolina profesionale për përgatitjen e sushit.

Këto shifra kanë nxitur reagimin e ashpër të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili ka deklaruar se është krejtësisht e papranueshme të shohësh gjeneralë dhe admiralë obezë në korridoret e Pentagonit.

Megjithatë, grupi mbikëqyrës vëren se këto shpenzime nuk janë anomali, pasi nën administrimin e presidentit Donald Trump, Pentagoni ka shpenzuar mbi 2 milionë dollarë për gaforre “mbretërore” në 5 raste të ndryshme.

Ekspertët shpjegojnë se ky fenomen nxitet nga rregulli “përdore ose humbe”, ku agjencitë detyrohen të shpenzojnë çdo qindarkë të mbetur para mbylljes së vitit fiskal për të shmangur reduktimin e buxhetit vitin pasardhës. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re