Skip to content

Gjeneralët rusë dhe amerikanë, negocime për vazhdimësinë e luftës siriane

Shefat e Shtabit të ushtrisë ruse dhe asaj amerikane pritet të takohen në Vjenë për të diskutuar vazhdimin e operacioneve në Siri, ku Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të mbajnë një “forcë të mbetur” që do të garantojë mbrojtjen e aleatëve të tyre kurdë.

Do të jenë gjeneralët Joseph Dunford dhe Valery Gerasimov, të cilë do jenë përballë njëri-tjetrit për të përcaktuar atë çfarë do të ndodhë në terrenin e një toke të përzhitur prej afro 7 vitesh nga zjarri i luftës.

“Dy zyrtarë të lartë ushtarakë do të diskutojnë masat për të parandaluar incidentet mes operacioneve ushtarake ruse në Siri dhe operacioneve të koalicionit ndërkombëtar që luftoi kundër ISIS-it”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Shefit të Shtabit të SHBA, kolonel Patrick Ryder.

Që nga viti 2015 kur Rusia nëdrhyri në konflikt, Moska dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për të ndarë zonat e tyre të veprimit kundër ISIS-it. Komandantët ushtarakë respektivë nformojnë njëri-tjetrin për operacionet ajrore me qëllim parandalimin e përplasjes së ushtrive të tyre.

Pavarësisht tensioneve mes dy vendeve, të dy shefat e Shtabeve kanë arritur të mbajnë një kanal komunikimi që nuk është ndërprerë.

Uashingtoni është duke negociuar me aleatët perëndimorë në koalicion për krijimin e një force ndërkombëtare që do të ishte në verilindje të Sirisë.