Papa Françesku i është drejtuar këtë të hënë Kanadasë, me qëllim për t’iu kërkuar personalisht falje të mbijetuarve indigjenë të vrasjeve dhe abuzimeve masive, kryer dekada më parë në shkollat rezidenciale të drejtuara nga Kisha Katolike.

 

Vizita e Françeskut në Kanada, të cilën ai e ka quajtur një “pelegrinazh pendimi” të “shërimit dhe pajtimit”  është kryesisht për t’u kërkuar falje të mbijetuarve për rolin e Kishës, në kohën kur ndodhi skandali, i cilësuar dhe si “gjenocid kulturor”.

 

 

Papa Françesku ka folur për “trishtimin, indinjatën dhe turpin” e tij për rolin e Kishës Katolike në abuzimin e fëmijëve indigjenë.

 

Në takimin e tij me indigjenët, përveç faljes, Papa premtoi një “hetim serioz” për atë që ndodhi vite më parë.

 

Udhëheqësit indigjenë kanë kërkuar prej kohësh një falje nga Kleriku ndërsa ky i fundit nënvizoi se falja e tij është vetëm hapi i parë në korrigjimin e këtyre gabimeve.

 

 

“Një pjesë e rëndësishme e këtij procesi do të jetë kryerja e një hetimi serioz për faktet e asaj që ka ndodhur në të kaluarën dhe për të ndihmuar të mbijetuarit e shkollave rezidenciale që të përjetojnë shërimin nga traumat që pësuan”, tha ai.

 

Gjenocidi kulturor

 

 

Për më shumë se 100 vite rreth 1881 dhe 1996 më shumë se 150,000 fëmijë indigjenë të popujve Metis dhe Inuit u detyruan të ndaheshin nga familjet e tyre nga autoritetet kanadeze për tu dërguar në shkolla rezidenciale të cilat drejtoheshin nga Kisha.

 

 

Këto ndarje synonin të shkëputnin lidhjet familjare dhe kulturore të indigjenëve dhe t’i asimilonin fëmijët në shoqërinë e bardhë kanadeze.

 

 

Shumë prej tyre u abuzuan fizikisht dhe seksualisht nga drejtorët dhe mësuesit. Mijëra fëmijë besohet se kanë vdekur nga sëmundjet, kequshqyerja ose neglizhenca.

 

Gjatë vitit 2021 më shumë se 1,300 varre të paregjistruara u zbuluan në vendet e ish shkollave, shumica e të cilëve fëmijë të moshave shumë të vogla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re