Demonstrata u mbajtën në Sheshin e Lirisë në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë, ku morën pjesë mijëra qytetarë që kërkuan lirimin e ish-presidentit Mikheil Saakashvili, i cili u arrestua më 1 tetor pasi u kthye në vend.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Tbilisit duke kërkuar lirimin e Saakashvilit, i cili tash e 13 ditë është në grevë urie në burgun e qyteti Rustavi.

Qytetarë nga pjesë të ndryshme të vendit morën pjesë në protestën e organizuar nga partia kryesore opozitare, Lëvizja Kombëtare e Bashkuar, e themeluar gjithashtu nga Saakashvili.

Politikanë, artistë dhe gazetarë që mbajtën fjalime në demonstratë, e cila zgjati rreth katër orë, pohuan se Saakashvili është ndjekur penalisht për akuza të pabaza.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Nika Melia, udhëheqësi i Lëvizjes Kombëtare të Bashkuar, tha se Saakashvili është një politikan modern dhe i suksesshëm dhe nuk e meriton të jetë në burg.

Melia, i cili është kandidat për kryebashkiak të Tbilisit, kujtoi se rrethi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 30 tetor dhe u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime.

Saakashvili, i cili u dënua në mungesë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi u kthye në vend pas tetë vjetësh, u arrestua më 1 tetor dhe u dërgua në një burg në qytetin Rustavi.

Autoritetet gjeorgjiane kanë deklaruar vazhdimisht se Saakashvili, i cili ishte president nga janari 2004 deri në nëntor 2013, do të arrestohet menjëherë pas mbërritjes së tij në vend.

Saakashvili akuzohet për abuzim me pozitën e tij dhe fshehje të provave për të cilat u dënua në mungesë me burgim në vitin 2018, ndërsa ai pohon se të gjitha akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re