Opozita gjeorgjiane pritet të nisë një protestë para burgut ku po mbahet ish-presidenti Mikeil Sakashvili, dhe është gati ta vazhdojë deri sa ai të lirohet.

“Gjeorgjia do fillojë protestat. Tubimi do të jetë i përhershëm dhe nuk ka për të përfunduar pa u arritur objektivi ynë,” tha lideri i opozitës, Nika Melia, kryetari i Lëvizjes për Bashkimin Kombëtar.

Gjeorgjia ndodhet në krizë politike që pas zgjedhjeve parlamentare të 2020-ës, dhe tensionet u thelluan muajin e kaluar me rastin e zgjedhjeve lokale.

Opozita dhe Lëvizja që Sakashvili e ka themeluar pretendojnë se partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, manipuloi rezultatet duke fituar paraprakisht 19 nga 20 bashkitë që ishin në balotazh.

“Ne i fituam zgjedhjet ndërsa një grup banditësh që e kanë përvetësuar qeverinë gjeorgjiane, na e vodhën fitoren. Duhen protesta që kjo qeveri të japë llogari përpara ligjit,” shkroi Sakashvili në rrjetin social, “Facebook”.

Politikani 53-vjeçar e ka udhëhequr Gjeorgjinë për dy mandate nga 2004-ra.

Ai u arrestua në tetor me akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit, siç pretendon, për motive politike, pas tetë viteve në mungesë në vend.

Në burg Sakashvili ka shpallur grevë urie prej më shumë se një muaji, ndërsa kryeministri Irakli Garibashvili ka thënë se ligji i njeh ish-presidentit, si çdo individi, të drejtën për t’u vetëflijuar, dhe se shteti nuk do të mbajë përgjegjësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re