Rivali i Lulzim Bashës për kreun e Partisë Demokratike, Gjergji Hani, është një figurë e panjohur në radhët e PD. 54-vjeçari nga Durrësi është burgosur gjatë diktaturës komuniste për kalim të paligjshëm të kufirit, kur ka qenë vetëm 16 vjeç.
“Kam qene i burgosur dy here per ceshtje politike”
Me rrëzimin e diktaturës ai është larguar në Itali, ku ka jetuar deri në vitin 2012.
Edhe pse është anëtarësuar në PD një dekadë më parë, Gjergji Hani ka nisur të angazhohet në politikë pas 9 shtatorit të vitit 2021, në mbështetje të Lulzim Bashës. Hani është një prej demokratëve që besonte tek Basha dhe rikthimi i tij, duke marrë pjesë në takimet e ish-kryetarit deri në 14 qershor, një javë para se të vendoste të garonte përballë tij.
“Kam qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të zotit Basha dhe prisja që rikthimi i tij në skenën politike edhe pse mund te linte shumë për të dëshiruar unë personalisht prapë do ta pranoja, nëse do vinte me premise të qarta, për cfare e ndan PD nga Sali Berisha”
Por Gjergji Hani ka hyrë në këtë garë pa e ditur numrin e anëtarëve të PD, të cilëve ai do t’u kërkojë votën në 29 korrik.
“Strukturat e PD po punojne për certifikimin e ketyre anetareve, dhe anetaresia janë ato 104 mije vota.”
Gjergji Hani nuk e di as sa deputetë ka partia që ai synon të drejtojë.
“Momenti ne te cilin une si kryetar i PD do te ulem te bisedoj me deputet, do te di tu them sa deputete ka partia demokratike”
Por megjithatë, demokrati nga Durrësi hedh poshtë çdo ide se ai ka hyrë në garë për të legjitimuar Lulzim Bashën.
“Nuk legjitimoj kërkënd, une jam perballe tij per te fituar une. “
E ndërsa Gjergji Hani shpalosi para gazetarëve platformën e tij për të ardhmen e PD, Lulzim Basha ende nuk ka asnjë deklaratë publike për kandidimin e tij për të marrë drejtimin e PD.