Skip to content

Gjermanët gjithnjë e më të pakënaqur me sistemin arsimor

Më shumë para për shkollat ​​e prekura

 

Sipas të dhënave të të ashtuquajturit “barometri arsimor” i IW, sistemi arsimor është përkeqësuar veçanërisht në segmentet e cilësisë së mësimdhënies, integrimit dhe arsimit të përgjithshëm. “Këto të dhëna tregojnë se ne kemi nevoja shumë të mëdha për një kthesë drastike kur bëhet fjalë për politikën e shkollimit”,  tha Ministrja e Arsimit, Bettina Stark-Watzinger.

 

Ajo premtoi “mbështetje të fortë” për landet e Gjermanisë, sepse politika arsimore është kompetencë e landeve. Planet e qeverisë federale përfshijnë edhe shpalljen e rreth 4.000 shkollave me një përqindje të lartë nxënësish të neglizhuar nga shoqëria si “Shkollat ​​me shanse fillestare”, ku vëmendje e veçantë do të t’i kushtohet njohurive bazë, si leximi, shkrimi dhe matematika.

 

“Qeveria federale dhe qeveritë e landeve duhet të punojnë së bashku për të rritur shanset për një shkollim dhe përgatitje sa më të mirë për jetë, pavarësisht prejardhjes sociale të nxënësve dhe studentëve”, tha Stark-Watzinger.

 

Nuk ka përgjigje për sfidat që sjell emigracioni

 

Sipas studimit, problemi më i madh për rënien e cilësisë së arsimit është mungesa e stafit pedagogjik dhe shumë pak para për arsimin. Instituti për Ekonominë (IW) beson se sistemi arsimor gjerman nuk është gati as për sfidat që sjell emigracioni. “Kopshtet dhe shkollat ​​nuk kanë gjetur ende përgjigje adekuate për ndryshimin e popullatës dhe për faktin se shkollat ​​gjermane janë bërë më heterogjene vitet e fundit, sepse një numër në rritje i nxënësve nuk flasin gjermanisht në shtëpi dhe rriten në familje ku praktikisht nuk ka libra”, tha Axel Plünnecke nga IW.