Një familje me origjinë shqiptare është përballur me një rast të pazakontë në Gjermani.  Babai 32 vjeçar i një vajze të mitur niset me urgjencë drejt spitalit. E bija dy vjeçare kishte patur probleme shëndetësore dhe në panik e sipër, 32 vjeçari bën atë që do të bënte çdo prind. Merr të bijën në makinë dhe niset me urgjencë drejt spitalit.

Rrugës 32 vjeçari pikaset (nga një kamera shpejtësie) që po ecte më shumë se limiti i shpejtësisë në zonë. Nga 50 km/h ky i fundit po ecte me 82 km/h. Pak më tutje një patrullë policie e ndalon. 32 vjeçari, i cili siç raporton media gjermane, nuk fliste mirë gjermanisht, u thotë shkurtimisht oficerëve” “Vajza është e sëmurë”

Foto: Andreas Wegener

Policët e kuptojnë gjendjen dhe vendosin që ta shoqërojnë makinën, duke u hapur rrugën, kjo pasi ngjarja ndodhte në orët e drekës dhe kishte mjaft trafik në zonë. Vajza mbërrin në spital dhe më pas merret nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e saj stabilizohet dhe pas dy ditësh në spital, ajo mundi të largohet me shëndet të plotë.

Por çështja e dhënies me shpejtësi nga ana e 32 vjeçarit, shkon në dyert e gjykatës. Një muaj më vonë, babai 32 vjeçar merr një gjobë prej afro 350 eurosh dhe heqjen e patentës për një muaj. I befasuar nga vendimi, 32 vjeçari e apelon verdiktin.

Gjykatësi argumentoi, siç shkruanin media gjermane, se 32 vjeçari nuk duhej të kishte udhëtuar i vetëm, por duhej të kishte marrë ambulancën.

Çështja në fjalë e më tutje publikimi në media, solli debate në Gjermani, nëse është e drejtë apo jo, të shkelësh rregullat kur bëhet fjalë për jetë a vdekje apo emergjenca shëndetësore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re