Ministri i Drejtësisë së Gjermanisë, Marco Buschmann sot pranoi dështimet e vendit në adresimin e problemeve të racizmit dhe diskriminimit.

“Nuk kemi qenë në gjendje t’i mbrojmë bashkëqytetarët tanë nga urrejtja dhe çmenduria vrastare që është rritur në shoqërinë tonë”, tha Buschmann në një deklaratë, duke shënuar përvjetorin e dytë të sulmit terrorist racist në Hanau.

“Është detyra jonë të mësojmë nga ky dështim. Kur dhuna fillon të marrë formë me fjalë dhe qëndrime, shteti duhet të ndërhyjë për ta ndalur këtë. Për sa kohë që njerëzit në vendin tonë vuajnë dhe vdesin sepse disa i quajnë ‘të huaj’, ne nuk e mbajmë përgjegjësinë që vjen nga historia jonë”, shtoi ai.

Më 19 shkurt të vitit 2020, ekstremisti i krahut të djathtë, Tobias Rathjen sulmoi dy kafene në qytetin Hanau, duke vrarë nëntë të rinj dhe duke plagosur pesë të tjerë. Të gjitha viktimat kishin prejardhje migrante.

Para sulmit, ekstremisti i krahut të djathtë postoi video në internet duke detajuar pikëpamjet e tij ksenofobike dhe më pas vrau nënën dhe veten e tij.

Gjermania ka qenë dëshmitare e racizmit në rritje vitet e fundit të nxitur nga partitë e ekstremit të djathtë, të cilat kanë shfrytëzuar frikën për një krizë refugjatësh.

Autoritetet po përballen me kritika, veçanërisht nga organizatat e të drejtave të njeriut, për nënvlerësimin e kërcënimit të ekstremit të djathtë dhe për mos hetimin serioz të krimeve të kryera nga ekstremistët e krahut të djathtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re