Kancelari gjerman, Olaf Scholz, njoftoi sot se vendi i tij do të furnizojë Ukrainën me raketa moderne antiajrore dhe sisteme radari, duke rritur dërgesat e armëve mes kritikave se Gjermania nuk po bën mjaftueshëm për të ndihmuar Kievin.

Scholz deklaroi para deputetëve se qeveria ka vendosur t’i sigurojë Ukrainës raketa IRIS-T të prodhuara nga Gjermania së bashku me vendet e tjera të NATO-s.

Ai tha se Gjermania gjithashtu do të furnizojë Ukrainën me sisteme radari për të ndihmuar në gjetjen e artilerisë armike.

Njoftimi vjen pasi forcat ukrainase janë përfshirë në një betejë të rëndë për rajonin industrial lindor të Donbasit. Pas një sërë pengesash në javët pas pushtimit të tyre, trupat ruse e zhvendosën fokusin e tyre në Donbas dhe janë përqendruar në pushtimin e kësaj pjese të rajonit që ende nuk kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Në Donbas, forcat ruse kanë pushtuar gjysmën e një qyteti kyç në lindje të Ukrainës në një “shtytje të furishme”, tha të martën kryebashkiaku Oleksandr Striuk. Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit më të madh të Luhansk, ndërkohë, tha se shumica e qytetit Sievierodonetsk ishte nën kontrollin rus, megjithëse ai shtoi se luftimet e ashpra vazhdonin dhe se qyteti nuk ishte i rrethuar.

Analistët ushtarakë kanë thënë se betejat në Donbas janë një garë me kohën. Kremlini shpreson për një fitore përpara se të mbërrijnë armët perëndimore që do të forconin mbrojtjen e Ukrainës.

Perëndimi shpreson të luhasë ekuilibrin. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të martën se SHBA-ja do t’i sigurojë Ukrainës sistemet më të avancuara të raketave që kanë kërkuar liderët e saj. Në një shkrim të botuar në “The New York Times”, Biden tha se sistemet e raketave do t’i mundësojnë Ukrainës “të godasë më saktë objektivat”.

Njoftimet për ndihmë erdhën pas kritikave të opinionit vendas dhe ndërkombëtar se Gjermania nuk po dërgon armë të mjaftueshme në Ukrainë, që i nevojiten për t’u mbrojtur kundër Rusisë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re