Turqia nuk do vijojë betejën për doner-kepabin, siç synonte të diktonte rregulla të rrepta se si të përgatitet ky specialitet në BE. E gjitha buronte nga një rivalitet me Gjermaninë, e cila pretendon se ky ushqim i shpejtë e plot shije është “Made in Germany” e aspak turk.

Nëse BE do kishte pranuar propozimin për një etiketë “Specialitet Tradicional i Garantuar”, për llojet e përbërësve të doner-kepabit, në këtë rast industria gjermane e kebapit do të prekej veçanërisht, raporton BBC, pasi doneri që shitet në Gjermani është mjaft i ndryshëm nga ai autentik nga Turqia.

Autoritetet turke kanë argumentuar se doneri duhet të konsiderohet një pjatë kombëtare që është përhapur në Evropë përmes emigracionit turk. Megjithatë, zyrtarët gjermanë kanë thënë se versioni i tyre është bërë pjesë e kuzhinës së tyre kombëtare.

Mënyra tradicionale e gatimit të mishit në hell vertikal daton që nga shekulli i 16-të, sipas Federatës Ndërkombëtare Turke të Donerit (Udofed), dhe fjala doner lidhet me këtë teknikë gatimi.

Autoritetet turke kërkuan që BE-ja të vendoste rregulla uniforme në të gjithë Unionin:

– mishi duhet të vijë nga një lopë mbi 16 muajshe, një qengj të paktën gjashtë muajsh ose kofshë dhe gjoks pule

– përdorimi i mishit të viçit dhe gjelit të detit duhet të ndalohet

– mishi duhet të pritet në feta me trashësi 3-5 milimetra

– lloji i thikës duhet të rregullohet dhe duhet të ketë rregulla për marinadat.

Versioni gjerman i kebabit, kujton BBC, shpesh përdor mish viçi në një pite të mbushur me perime, turshi, qepë të kuqe dhe salca.

Berlini kishte reaguar me habi ndaj propozimit të Turqisë. Ish-Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Özdemir, i cili është me origjinë turke, kishte deklaruar se “doneri i përket Gjermanisë” dhe se nuk ka nevojë për udhëzime nga Ankaraja.

Vetëm në Gjermani, ka më shumë se 1.5 milion qytetarë turq dhe pothuajse të njëjtin numër me origjinë turke.

Shitjet vjetore të kebabëve gjenerojnë rreth 3.5 miliardë euro në të gjithë Evropën, nga të cilat 2.4 miliardë euro vetëm në Gjermani. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re