Skip to content

Gjermania hap dyert për emigrantët nga Ballkani rritet paga minimale!

Shteti gjerman ka hapur zyrtarisht dyert për të gjithë emigrantët që janë në kërkim të një pune dhe një jete më të mirë.

Me hyrjen 2020-ës, ekonomia më e rendesishme e Bashkimit Europian ka miratuar një ligj të ri që lehtëson procedurat për punëtorët që vijnë nga vende jashtë BE-së. Për të joshur profesionistët nga Ballkani, që nga 1 janari i vitit 2020 paga minimale në Gjermani do rritet përsëri, me 9,35 euro në orë ose 515 euro në jave.

Lajmi u bë i ditur nga vetë
kancelarja Angela Merkel, e cila në fjalimin e fundit për 2019-ën , foli
gjatë për nevojat e Gjermanisë për më shumë punëtorë.

Duke
iu përgjigjur mungesës së dëshpëruar për punëtorë të aftë, Gjermania po
josh qytetare nga Ballkani dhe të gjitha vendet jo anëtare të BE-së.
Akti i Imigracionit për Punëtorë të kualifikuar hyn në fuqi më një mars
të këtij viti dhe do të lejojë që punëtorët e aftë nga vendet e treta të
shkojnë në Gjermani, për sa kohë sa sigurojnë një kontratë dhe
zotërojnë një nivel mesatar të gjuhës gjermane.

Kushdo që kërkon
një vend pune ose stërvitje në Gjermani duhet të ketë kualifikimet e
nevojshme për shkollë, njohuri të gjermanishtes, dhe të jetë në gjendje
të paguajë vetë koston e jetesës (e cila mund të provohet me një llogari
të bllokuar).

Sipas vlerësimeve të fundit, Gjermania ka 1.3
milion vende të lira pune edhe psre aktualisht ka më shumë se 2 milion
qytetarë nga vendet e tjera të BE-së që punojnë në ekonominë më të madhe
të BE-së.

“Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe kjo është arsyeja
pse ne duhet të kërkojmë punëtorë të aftë nga jashtë BE’-së. Pa
ekspertë të mjaftueshëm, asnjë ekonomi nuk mund të mbijetojë,” tha
Merkel në një video mesazh.

Ajo vuri në dukje se Gjermania ka
nevojë për ekspertë jo vetëm për punëtorët me arsim akademik, por edhe
për punëtorë profesional.

“Ne aktualisht kemi një numër
ndërmarrjesh që nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë. Nëse politikanët nuk
kujdesen për profesionistë të mjaftueshëm, firmat dhe sipërmarrësit do
të largohen nga Gjermania, dhe ne nuk e duam këtë”, paralajmëroi ajo.

Për
të përmbushur nevojat e ekonomisë, qeveria po përdor tre strategji. E
para ka të bëjë me shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve të tregut të
brendshëm të punës, e dyta me rritjen e importit të ekspertëve nga vende
të BE-së dhe e treta me migracionin të punëtorëve që vijnë nga vende
jashtë BE-së.

Disa nga mediat më të mëdha të Berlinit shkruajnë
se qeveria gjermane po u jep shpresë emigrantëve të kualifikuar që të
lejohen të punojnë në Gjermani. Të tjera shkruajnë se vendimi i ri është
marrë në kurriz të vetë punëtoreve gjermanë, me kusht që të ruajë
pozicionin e Gjermanisë si qendra ekonomike e Europës.

“Der
Tagesspiegel” thekson se përveç të diplomuarve, ligji mundëson edhe
punësimin e njerëzve me arsim profesional. Emigrantët do të lejohen të
qëndrojnë gjashtë muaj në Gjermani dhe të kërkojnë punë. Nëse punësohen
në profesionet ku ka mungesë akute të punëtorëve të kualifikuar, si në
IT ose shërbime e kujdesit, emigrantët nuk do të kenë nevojë t’u
vërtetojnë autoriteteve gjermane se janë të kualifikuar. Në të njëjtën
kohë, qeveria gjermane merr përsipër të informojë më së miri aplikantët e
mundshëm jashtë vendit dhe t’i drejtojë ata nëpër xhunglën e
administratës gjermane.

Por sipas mediave konservatore gjermane,
ligji i emigracionit miraton edhe njëherë mundësitë që tashmë
ekzistojnë. Prej vitesh është bërë e mundur që qytetarët që nuk janë
pjesë e Bashkimit Europian, por janë të pajisur me diplomë universitare,
të shkojnë në Gjermani për të gjetur punë. Gjermania është tanimë një
nga vendet më liberale për emigracionin në botë.

Por zbatimi i
rregullave të reja të qeverisë gjermane për punësimin e emigrantëve në
nuk ka qenë aq i lehtë për Ballkanin Perëndimor. Deputetja e Partisë së
Gjelbër, Filiz Polat, ishte e fundit që ngriti këtë shqetësim, pas një
udhëtimi nëpër Ballkanin Perëndimor në pranverë. Ndryshe nga Europa
Lindore, stafi i ambasadës gjermane në rajon merret me një numër rekord
aplikimesh për viza, veçanërisht në Kosovë. Qeveria gjermane ka caktuar
kontrolle të rrepta për të përcaktuar nëse puna e paraqitur nga
aplikuesit është fiktive ose shfrytëzuese, duke u rritur barrën
departamenteve gjermane të vizave dhe duke e bërë punësimin në Gjermani
një mision pothuajse të pamundur. Megjithatë mediat gjermane shkruajnë
se ligji i sapo miratuar pritet t’u japë fund këtyre praktikave dhe të
lehtësojë procedurat për Ballkanin.

Si do të bëhet përzgjedhja?

Ekspertët
thonë se punësimi i emigrantëve të kualifikuar është mënyra e vetme për
përmbushur nevojat e bizneseve gjermane. Partitë e koalicionit gjerman
ranë dakord për një ligjin e ri të emigracionit, me qëllimin e thithjes
së fuqisë së kualifikuar punëtore nga vendet jashtë Bashkimit Europian,
për të mbushur numrin rekord të vendeve bosh dhe për të stabilizuar
sistemin publik të pensioneve. Punësimi i lartë dhe papunësia e ulët
kanë shkaktuar një ngërç në ekonominë më të madhe të Europës. Meqë fuqia
punëtore e Gjermanisë pritet të tkurret gjatë dekadave të ardhshme për
shkak të popullsisë së plakur dhe nivelit të ulët të lindjeve,
emigrantët konsiderohen si vendimtarë për të ndihmuar firmat të gjejnë
punëtorë.

“Der Tagesspiegel” shkruan se ligji i ri do të heqë
pengesat e tregut të punës për qytetarët jashtë BE-së, të cilët janë të
kualifikuar dhe kanë aftësitë të mira në njohjen e gjuhës gjermane.
Nëpërmjet projektligjit të ri, kompanive do t’u lejohet të rekrutojnë
punëtorë të huaj në të gjitha profesionet, pavarësisht listës zyrtare të
sektorëve që vuajnë mungesa të krahut të punës.

Ligji propozon
gjithashtu se qeveria nuk do të këmbëngulë që kompanitë të japin
preferencën për shtetasit gjermanë ,në mbushjen e vendeve të lira para
se të kërkojnë të huajt jashtë BE. Të diplomuarit dhe punëtorët me arsim
profesional do të kenë mundësi të punësohen në Gjermani në të njëjtat
kushte si gjermanët, nëse plotësojnë kualifikimet e caktuara nga
punëdhënësit dhe flasin mirë gjermanishten. Ata gjithashtu duhet të
dëshmojnë se kanë burime të mjaftueshme financiare në mënyrë që ata të
mos varen nga përfitimet e mirëqenies gjatë qëndrimit të tyre në
Gjermani.

Por, me gjithë mungesën aktuale të fuqisë punëtore,
pagat në Gjermani nuk janë rritur. “Frankfurter Allgemeine
Sonntagszeitung” shkruan se rritja e tyre ka qenë vetëm 2,5 përqind. Pas
heqjes së shumës për të kompensuar inflacionin, punonjësve u mbetet
vetëm 0,5 përqind e shtesës.

Çfarë do të thotë ky ligj për refugjatët?

Pas
miratimit të projektligjit, qeveria gjermane theksoi se do të ruante
parimin e ndarjes së azilit nga emigrimi ekonomik. Në fakt, ligji i
emigracionit nuk do të ketë ndikim në sistemin e azilit të Gjermanisë.
Në përputhje me Konventën e Gjenevës, Gjermania do të vazhdojë të jetë e
detyruar të presë refugjatët që ikin nga lufta dhe përndjekja. Por “Der
Spiegel” shkruan se pas miratimit të ligjit të ri, pritet të lindin
mosmarrëveshje midis SPD-së dhe partisë së kancelares Angela Merkel, për
mënyrën sesi do të zbatohet rregulli “3 + 2”.

Ky rregull mbron
azilkërkuesit që arrijnë të punësohen në Gjermani, për një periudhë
maksimale prej pesë vjetësh. Deri më sot, shtetet gjermane kanë
preferuar të deportojnë refugjatët, në vend që t’i japin leje punësimi.
Për shumë nga deputetët e opozitës ligji i ri do t’u japë mundësi
refugjatëve që u është refuzuar azili refuzuar mund të shfrytëzojnë
rastin dhe të punësohen. Sipas rregullave të reja, emigrantët pa leje
qëndrimi, të cilët mund të jenë në pritje të vendimit pas aplikimeve për
azil ose në pritje të dëbimit, mund të qëndrojnë në Gjermani, në qoftë
se janë të punësuar dhe mund të vërtetojnë se janë integruar në
strukturën e shoqërisë gjermane.

Si është pritur ligji i emigracionit?

Ligji
i ri i emigracionit u kthye në mollë sherri për palët politike në
Gjermani. Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier (CDU), deklaroi
se shpresonte që legjislacioni të vinte nën kontroll një çështje që ka
pushtuar debatin politik në Berlin për një çerek shekulli. Duke theksuar
se një në katër gjermanë i ka rrënjët familjare jashtë vendit, ai
shprehet se Gjermania është streha e re e emigracionit. Pranimi i
punëtorëve të kualifikuar nga vendet jashtë Bashkimit Europian është një
nismë që është mbështetur tanimë edhe nga Ministri i Brendshëm Horst
Seehofer, por partitë e opozitës nuk ndajnë të njëjtin qëndrim më të.
Partia e ekstremit të djathtë, ADF, ka kritikuar ashpër ligjin e ri për
emigracionin. Duke hartuar një politike ekstreme kundër refugjatëve, ajo
është bërë partia më e madhe opozitare e Gjermanisë, me më shumë se 90
vende në Bundestag.

Ministrat e qeverisë theksuan se rregullat e
reja të emigracionit nuk janë hartuar për të lejuar aplikantët që u
mohohet azili të qëndrojnë në Gjermani. Sipas tyre, rregullat e reja
synojnë të sigurojnë një “zgjidhje pragmatike” për emigrantët që kanë
qëndruar për një periudhë të zgjatur kohore në Gjermani, sepse nëse
dëbohen, përballen me rrezikun e torturës në vendin e tyre të origjinës.
Ministrat paralajmëruan gjithashtu se do të hartonin një listë
kriteresh për emigrantët që do të punësoheshin.

Rregullat e reja,
imigracionit, të aprovuara brenda gjatë natës nga kancelarja Angela
Merkel, ministri Seehofer dhe Ministri i Punëve Sociael, Hubertus Heil,
rrezikojnë të zemërojnë votuesit që ndihen të lënë pas dore pas ardhjes
së më shumë se një milion refugjatëve që nga viti 2015, citon
vizionplus. Fluksi i pashembullt i azilkërkuesve, kryesisht nga vendet
myslimane në Lindjen e Mesme, ka shkaktuar tashmë një reagim të ashpër
që rrezikoi të rrëzonte edhe kancelaren Merkel nga pushteti.

Burimet: “Der Tagesspiegel”, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”, “Euroactiv”, “Der Spiegel”