Autoritetet gjermane i dhuruan policisë shqiptare shtatë automjete tip furgonë, duke kërkuar që reagimi kundër krimit të jetë më i shpejtë.

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf në dorëzimin e mjeteve tha se tashmë me to mund të arrihet më shpejt në vendin e ngjarjes.

“Bëhet fjalë për 7 mjete për transport ekuipazhi, që sipas modelit gjerman do të duhet të shërbejnë për transportin e shpejtë dhe të sigurt të trupave të njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në vendin e misionit. Me këto mjete tani jeni në gjendje të reagoni në mënyrë moderne ndaj situatave të misioneve të ndryshme”, tha Peter Zingraf.

Jo vetëm kaq, sepse gjermanët do të dërgojnë dhe trajnues nga policia gjermane. “Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë dhe t’ju mbështesin më tej.  Ne jemi prezent në Shqipëri duke qëndruar partner edhe në çështjet e sigurisë”, tha Zingraf.

Ndërsa Ardi Veliu tha se rinovimi i herëpashershëm i flotës së Policisë përmirëson akoma më tej performancën e strukturave policore.

“Presidiumi i Policisë Federale, i ka dhuruar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, 7 automjete të markës Mercedes Benz Sprinter që kapin shifrën 327.000 euro dhe sot jemi këtu në këtë ceremoni të thjeshtë, por kuptimplotë, për të marrë në dorëzim nëpërmjet Ambasadorit Zingraf, këto automjete të kalueshmërisë së lartë, të loguara dhe të pajisura me sinjalistikë policie, të cilat do të jenë në përdorim nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re