Tri centralet e fundit bërthamore të Gjermanisë do të ndalojnë së funksionuari këtë fundjavë. Kjo shënon fundin e epokës bërthamore të këtij shteti, që zgjati për më shumë se gjashtë dekada.

 

Kjo mbyllje ishte planifikuar të ndodhte një vit më parë, por lufta në Ukrainë dhe ndalimi i furnizimit me gaz nga Rusia, e shtyu atë deri më tani.

 

Largimi përfundimtar i vendit nga energjia atomike, vjen 12 vite pas aksidentit nuklear të Fukushimës në Japoni, i dyti më i madh në botë pas atij të Çernobilit.

 

Energjia bërthamore ka qenë prej kohësh e diskutueshme në Gjermani.

 

Ligjvënësit gjermanë janë ndarë në mendimet e tyre për mbylljen përfundimtare të termocentraleve, disa prej tyre e kanë duartrokitur vendimin, ndërsa të tjerë kanë paralajmëruar se mbyllja do të rrezikojë sigurinë energjetike të vendit.

 

Megjithatë, qeveria ka thënë se furnizimi i vendit është i garantuar pas ndërprerjes bërthamore dhe se Gjermania do të vazhdojë të eksportojë energji elektrike, duke përmendur nivelet e larta të rezervave të gazit, terminalet e reja të gazit të lëngshëm në bregun verior dhe zgjerimin e energjive të rinovueshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re