Parlamenti Federal i Gjermanisë miratoi projektligjin i cili përfshin protokollet e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Partia Socialdemokrate (SPD), të Gjelbrit, Partia Demokratike e Lirë (FDP), Partitë e Unitetit të Krishterë (CDU-CSU) dhe Partia Alternative për Gjermaninë (AfD) kanë dhënë mbështetje të plotë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, ndërsa Partia e Majtë (Die Linke) ka kundërshtuar ligjin lidhur me miratimin e protokollit.

Ministrja gjermane Mbrojtjes, Christine Lambrecht, deklaroi se hapi i ndërmarrë nga Finlanda dhe Suedia është i drejtë dhe i rëndësishëm dhe se e meriton edhe mbështetjen.

“Krahët veriorë dhe lindorë të NATO-s po fitojnë fuqi përcaktuese. Me pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO po forcojmë lirinë dhe demokracinë. Pjesëmarrja jo vetëm që rrit aleancën, por në të njëjtën kohë rrit edhe solidarizimin dhe unitetin në Evropë dhe zonën transatlantike. Në këtë mënyrë pengon ata që duan të prishin unitetin”, deklaroi Lambrecht.

Ndërsa Tobias Lindner, ministër i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë tha se “Duke pasur parasysh tronditjet që kemi përjetuar në Evropë dhe në botë si rezultat i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pjesëmarrja e planifikuar e Finlandës dhe Suedisë në Aleancën e Mbrojtjes së Atlantikut të Veriut është e një rëndësie të madhe për ne dhe partnerët tanë. Sot forcojmë vlerat demokratike të NATO-s”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re