Gjermania mirëpriti sot uljen e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës, por nuk pranoi të komentonte rreth kërkesës së Kosovës për më shumë paqeruajtës të NATO-s në rajon.

 

 

“Kjo është një shenjë e mirë, që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr barrikadat”, tha zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann në Berlin.

 

 

Ajo i referohej barrikadave të militantëve serbë të ngritura javët e fundit në dhjetëra lokacione në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët e hyrjes në dy pika kufitare me Serbinë.

 

 

Nga ana e saj, qeveria e Kosovës rihapi pikën më të madhe kufitare me Serbinë.

 

 

“Prioriteti tani është që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë të mbështetet. Qeveria gjermane po e bën këtë në mënyrë shumë aktive”, tha Hoffmann.

 

 

Gjermania rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e saj për përpjekjet ndërmjetësuese të Bashkimit Evropian.

 

 

Megjithatë, as qeveria dhe as Ministria e Jashtme nuk e kanë komentuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të forcuar praninë e NATO-s në Kosovë.

 

 

“Një rritje e konsiderueshme e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane “Die Welt”.

 

 

Forca mbrojtëse e udhëhequr nga NATO, KFOR, ka marrë për detyrë të garantojë sigurinë në mbarë Kosovën që nga viti 1999. Ajo aktualisht ka pothuajse 3800 anëtarë, duke përfshirë rreth 70 ushtarë gjermanë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re