Vala e emigracionit të personelit shëndetësor që ka prekur prej
vitesh Shqipërinë rrezikon të përforcohet edhe më tej për shkak se
spitalet gjermane kanë rritur stimujt për tërheqjen e mjekëve dhe
infermiereve nga Shqipëria.

Para disa ditësh një nga spitalet më të mëdhenj në Gjermani solli
përfaqësuesit e saj në QSUT, të cilët i bënë një ofertë joshëse
personelit të infermierisë, e pa aplikuar më parë. Infermierët e
përzgjedhur që ishin rreth 20, në një ditë te vetme, do të lënë punën
gjatë mësimit të gjuhës gjermane në nivelin B1 në Shqipëri kundrejt një
pagesë mujore 400 euro.

Pagesa do të jepet si kompensimin për rrogën që punonjësit marrin në
QSUT në mënyrë që ato të përfundojnë sa më shpejt mësimin e gjuhës. Më
parë ky stimul nuk mundësohej pasi mësimi i gjuhës vijonte teksa ata
ishin në punë. Gjithashtu në kontratën përkatëse, punonjësit gjatë vitit
të parë të mësimit në Gjermani do të paguhen me 1500 euro teksa do t’iu
kompensohet një pjesë e qirasë. Pasi të jenë standardizuar njohuritë
pagat do të kalojnë 2000 eurot.

Për shkak të kësaj situatë një nga pavionet më të rëndësishme të
pediatrisë ka mungesë personeli me 30 për qind. Nga 23 infermierë që
janë në organike gati 6 vende janë vakante, kryesisht për shkak të
largimeve drejt Gjermanisë.

Burimet nga QSUT pohojnë se, stafet mjekësore shqiptare sidomos
infermierët shqiptare kanë rezultuar me aftësi të larta në Gjermani. Kjo
për shkak se, infermierët shqiptarë në QSUT përpunojnë të sëmurë më
shumë se normat europiane. Shqipëria radhitet ndër vendet me numrin më
të ulët të stafit mjekësor në raport me popullsinë. Kjo situatë e ka
bërë personelin shëndetësor shqiptar me përvojë duke ushtruar shumë
funksione për disa lloje sëmundjesh. Bie fjala nuk ka asnjë infermier në
QSUT që nuk bën injeksione dhe nuk vë vigona, ndërsa në spitalet
europine përgjegjësitë janë shumë të reduktuara për shkak se, një
infermier shërben për shumë pak pacientë.

Nga viti 2013 në vitin 2018 janë larguar nga vendi 875 mjekë. Teksa
vetëm gjatë vitit 2018 janë larguar nga vendi kryesisht drejt Gjermanisë
rreth 2 mijë infermierë. Sipas të dhënave nga numri i certifikatave të
kërkuara pranë  Urdhërit të Mjekut vetëm në vitin 2018 janë larguar 164
mjekë, teksa janë diplomuar mbi 250 nga fakulteti u mjekësisë. Nga të
dhënat shihet se janë larguar tre gjenerata mjekësh. Largimet u bene më
të dukshme pas vitit 2014, ku ikjet e mjekëve specialiste ishin më shumë
se 150 në vit mesatarisht.. Burimi: Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re