Gjermania ka ngritur një padi kundër Italisë në Gjykatën e Lartë të OKB-së, sepse Roma ende i lejon viktimat e krimeve të luftës naziste të kërkojnë kompensim nga shteti gjerman edhe pas një vendimi të mëparshëm se akuza të tilla shkelin ligjin ndërkombëtar.

Kërkesa e Gjermanisë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), e publikuar në faqen e internetit të gjykatës të premten mbrëma, thotë se Italia ende lejon pretendimet për dëmshpërblim para gjykatave vendase, pavarësisht vendimit të GJND-së të vitit 2012 se ajo ka shkelur të drejtën e Berlinit për imunitet, sipas ligjit ndërkombëtar.

Gjermania deklaron se që nga vendimi i vitit 2012, më shumë se 25 kërkesa të reja janë paraqitur në Itali për kompensim kundër shtetit gjerman për dëmet e shkaktuara nga krimet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shumë prej këtyre rasteve, gjykatat urdhëruan Gjermaninë të paguajë dëmshpërblim.

Për zgjidhjen e padive në dy raste të tilla, gjykatat italiane po tentojnë sekuestrimin e pronës gjermane në Romë.

Gjermania thotë se tani ka ngritur një padi në GJND sepse një gjykatë italiane tha se do të vendoste deri më 25 maj nëse do të detyronte shitjen e ndërtesave, disa prej të cilave strehojnë institucione kulturore, arkeologjike, historike dhe arsimore gjermane.

Gjermania i ka kërkuar gjykatës të marrë të ashtuquajturat masa të përkohshme për të siguruar që Italia të mos e shesë pronën në ankand publik, ndërsa shqyrton çështjen e saj më të gjerë mbi pretendimet e kompensimit. Nuk është caktuar ende një datë për seancën dëgjimore për masat e përkohshme, por pritet në javët e ardhshme.

Në përgjithësi, GJND-së, e njohur edhe si Gjykata Botërore, i duhen vite për të marrë një vendim përfundimtar për çështjet.

Mosmarrëveshja mbi pretendimet e Luftës së Dytë Botërore filloi në vitin 2008 kur gjykata më e lartë e Italisë vendosi që Gjermania duhet të paguajë rreth 1 milion euro për familjet e nëntë personave që u vranë nga ushtria gjermane në Civitela, Toskanë në vitin 1944.

Kjo pasoi një sërë kërkesash të ngjashme kompensimi.

Gjermania ka pretenduar se ka kompensuar tashmë padrejtësitë në Luftën e Dytë Botërore në marrëveshje të gjera paqeje dhe reparacionesh me vendet e prekura, duke paguar miliarda euro që nga përfundimi i luftës me humbjen e regjimit nazist në 1945.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re