Disa vende evropiane i shpallën diplomatët rusë persona të padëshirueshëm si hakmarrje për masat e ngjashme të marra nga Rusia javën e kaluar.

Ministria e Jashtme gjermane theksoi në një deklaratë se ka urdhëruar dëbimin e një anëtari të stafit të Ambasadës Ruse në Berlin, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

“Me këtë hap, Qeveria Federale po i përgjigjet vendimit të Federatës Ruse të së premtes, 5 shkurt 2021”, thuhet në deklaratë.

Rusia javën e kaluar dëboi disa diplomatë të BE-së, duke përfshirë një anëtar të stafit të Ambasadës Gjermane në Moskë, për shkak të pjesëmarrjes në tubime në mbështetje të politikanit të opozitës ruse, Alexey Navalny.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, të premten e kaluar tha se vendimi i Rusisë ishte “pa ndonjë justifikim” duke dëmtuar më tej marrëdhëniet e saj me Evropën.

Ai pretendoi se diplomati gjerman thjesht po bënte punën e tij dhe po ndiqte zhvillimet në terren me mjete ligjore sipas Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

Gjithashtu edhe Suedia i kërkoi një diplomati rus të largohej nga vendi.

“Ne kemi informuar ambasadorin rus se një personi nga ambasada ruse i kërkohet të largohet nga Suedia. Kjo është një përgjigje e qartë ndaj vendimit të papranueshëm për dëbimin e diplomatit suedez i cili po kryente vetëm detyrat e tij”, theksoi Ministrja e Jashtme e Suedisë Ann Linde në Twitter.

Ministria e Jashtme e Polonisë gjithashtu njoftoi vendimin e saj për shpalljen e një diplomati rus person të padëshirueshëm.

“Në përgjigje të dëbimit të pabazë të diplomatit nga Rusia, Ministria e Punëve të Jashtme ka vendosur në përputhje me parimin e reciprocitetit dhe në koordinim me Gjermaninë dhe Suedinë për të konsideruar diplomatin rus që punon në Konsullatën e Përgjithshme Ruse në Poznan si person i padëshirueshëm”, theksoi ministria polake në një postim në Twitter.

Javët e fundit në Rusi u mbajtën një numër tubimesh në mbështetje të Navalny, të cilat nuk ishin të autorizuara nga autoritetet.

Politikani rus i opozitës u arrestua në Moskë pas kthimit të tij më 17 janar nga Gjermania, ku ai kishte marrë trajtim pas një helmimi të pretenduar në Rusi.

Autoritetet ruse thanë se ai kishte shkelur dënimin me kusht për një vepër të pastrimit të parave të vitit 2014, një rast që Navalny thotë se është “i motivuar politikisht”.

Një gjykatë në Moskë dënoi opozitarin Navalny me dy vjet e tetë muaj burg për “shkeljen e tij të dënimit me kusht”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re