Grupi më i madh politik në Bundestaakun Gjerman, CDU/CSU votoi sot rezolutën për Shqipërinë ku kërkoi plotësimin e 9 kushteve si edhe dialog për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në vend.

“Nuk do të ketë proces negociatash për Shqipërinë, pa plotësuar 9
kushtet kryesore”, sqarohet në rezolutën që votoi pro hapjes me kushte
të procesit të negociatave mes BE dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Bundestagu evidentoi se e përcjell me shqetësim krizën politike në Shqipëri duke e quajtur atë të rëndë.

Deputetët e Bundestagut gjerman, kërkojnë nga qeveria federale që
para se të fillojë konferenca e dytë e anëtarësimit, pra para se të
hapen dy kapitujt e parë të procesit të negociatave, të ketë konstatuar
përmbushjen e këtyre kushteve nga ana e Shqipërisë:

– zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore

– fillim i procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve, të
cilët në procesin e Vetting-ut janë akuzuar për sjellje të dënueshme
penalisht.

– fillimi i procedurave nga prokuroria dhe eventualisht gjyqësori
kundër atyre që kanë pasur lidhje me blerjen e votave si dhe ecuri
serioze dhe të shpejtë të proceseve.

– ngritja e strukturës speciale për luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vënia në punë e saj.

– suksese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në
të gjitha nivelet, përfshirë edhe nisjen përfundimin e proceseve të para
gjyqësore kundër zyrtarëve dhe politikanëve të rangut të lartë.” Këtu
hyjnë hetime pro-aktive, eventualisht ndjekje dhe dënime penale në
lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në dokument.

– përparime të prekshme në reformën administrative, duke përfshirë
verifikimin e punësimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, duke
mbajtur parasysh edhe kritikat për parregullsi.

– një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30
qershorit 2019 nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Nëse vendoset mbajta e
zgjedhjeve të reja lokale, ato duhet të bëhen mbi bazën e ligjit të ri
zgjedhor.

Sipas burimeve të para nga qarqet e CDU/CSU , dokumenti u miratua me
shumicë të madhe votash. Vetëm 28 deputetë kishin qenë kundër, katër
abstenuan, nga 246 deputetë që ka gjithsej grupi parlamentar më i madh
në Gjermani. Grupi parlamentar socialdemokrat e kishte miratuar më parë
të njëjtin dokument me shumicë të madhe votash.

Të enjten në mbrëmje dokumenti pritet të miratohet në Bundestag pas
një debati 45 minutash. E vetmja parti që pritet të jetë kundër çeljes
së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor është grupi
parlamentar opozitar i Alternativës për Gjermaninë (AfD). Partitë e
tjera opozitare, Të Gjelbrit, dhe liberalët e FDP-së pritet të thonë po,
ndërsa e Majta është ende e lëkundur, por anon nga po-ja.

Deputetët gjermanë evidentuan se sipas tyre “Shqipëria është në një krizë të rëndë politike”.

“Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave
demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për
të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe
rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të
konsiderueshme”, – thuhet në rezolutën e përbashkët të partive
qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD.

Po ashtu nënvizohet se “do të ketë një proces me dy faza ku Shqipëria
do të vlerësohet përpara konferencës së parë të zgjerimit e cila
parashikohet të mbahet në janar nëqoftëse ka plotësuar kushtet
afat-shkurtra. Vetëm nëse Shqipëria i ka plotësuar këto kushte, atëherë
do të ketë një diskutim në konferencën e parë të zgjerimit për të
vendosur nëqoftëse do të procedohet me hapjen e negociatave”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re