Gjermania ka refuzuar të dënojë sulmet e policisë izraelite ndaj civilëve palestinezë në xhaminë Al-Aksa, që lanë të plagosur qindra persona.

I pyetur dy herë në një konferencë për media në Berlin nëse ai dënon në mënyrë të qartë sulmin e policisë izraelite ndaj grave dhe fëmijëve palestinezë brenda dhe jashtë xhamisë Al-Aksa, zv/zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Christofer Burger, iu referua vetëm deklaratës së fundit nga e ashtuquajtura ‘Kuarteti i Lindjes së Mesme’.

Në deklaratën e javës së kaluar, të dërguarit e ‘Kuartetit të Lindjes së Mesme’, ku bëjnë pjesë Bashkimi Evropian (BE), Rusia, SHBA-ja dhe Kombet e Bashkuara (OKB), shprehën “vetëm shqetësimin e thellë” për përplasjet e përgjakshme në Kudsin Lindor, por nuk e dënuan në mënyrë specifike sulmin izraelit në xhami.

Video-pamjet në rrjetet sociale që tregojnë forcat izraelite duke shënjestruar civilët izraelitë me shok-bomba dhe gaz lotsjellës brenda dhe jashtë xhamisë kanë shkaktuar zemërim publik ndërkombëtar.

Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, bëri thirrje për de-përshkallëzim të konfliktit, duke kërkuar nga të dy palët të përmbahen.

“Ne kërkojmë nga të dyja palët të japin një kontribut urgjent tani për të de-përshkallëzuar situatën”, u tha Seibert gazetarëve në Berlin.

Forcat e sigurisë izraelite të armatosura rëndë mëngjesin e sotëm përsëri sulmuan kompleksin e xhamisë Al-Aksa, duke përdorur plumba gome, gaz lotsjellës dhe shok-bomba ndaj palestinezëve, duke lënë të plagosur qindra prej tyre.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se në kohërat antike ishte vendi i dy tempujve hebrenj.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një lëvizje që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko