Në Detin Baltik gjendet lokacioni i Bundeswehrit, Todendorf, ku është stacionuar departamenti ushtarak i raketave kundërajrore nr 61. Një terren klasik ushtarak, por brenda pak muajsh aty është ngritur një kompleks kontenierësh me shpejtësi. Bundeswehr dhe industria gjermane kanë ngritur së bashku një qendër trajnimi të mbrojtjes ajrore në kohë rekord. Kreu i qendrës së trajnimit, Ingo Gerhartz bën fjalë për shpejtësi “supersonike”, krahasuar me procedurat që njeh zakonisht ushtria gjermane.

Këtë e mundësoi me sa duket bashkëpunimi i industrisë me Bundeswehrin, një bashkëpunim të cilin Ingo Gerhartz e lëvdon. Bashkëpunimi me sipërmarrjen e drejtuar familjarisht Diehl Defence çoi në përshpejtimin e prodhimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Për inspektorin e ushtrisë gjermane Gerhartz kjo është “pikë kthese”. Në qershor 2023 u nënshkrua kontrata, në tetor 2024 pritet të jetë në shërbim të ushtrisë sistemi i parë kundërajrore. Sistemet gjermane mund të kthehen në një bazë të rëndësishme të mbrojtjes ajrore europiane  në Europë.

Sistemi Iris-T SLM përditë në luftë

Në Ukrainë janë në përdorim të vazhdueshëm dy sisteme gjermane të mbrojtjes ajrore, një i tretë do t’i jepet këtij vendi nga Gjermania në vjeshtë. Në hapësirën përreth Kievit, raketat kundërajrore “made in Germany” mbrojnë qytetarët dhe infrastrukturën kritike nga dronët “shahed” rusë. Më shumë se 110 goditje ka regjistruar sistemi gjerman, thotë Harald Buschek, drejtor ekzekutiv i Diehl Defence. Në pranverën e këtij viti ky sitem ka neutralizuar njëkohësisht një sulm masiv me 13 dronë rusë. Sistemi gjerman kundërajror po testohet në rrethanat më të vështira. Nëse kanë probleme, ukrainasit telefonojnë tek prodhuesi Diehl Defence.

Suksesi në Ukrainë i sistemit ajror gjerman e ka bërë atë mjaft të kërkuar edhe për vende të tjera. Për Diehl Defence kjo do të thotë një biznes miliardësh, edhe pse nuk flitet për shifra zyrtarisht. Prodhimi i sistemit të mbrojtjes ajrore është rritur, vitin e ardhshëm fabrikat do të prodhojnë deri në 500 raketa kundërajrore dhe deri në vitin 2025 tetë sisteme komplekse të mbrojtjes ajrore.

Iris-T-SLM duket të kthehet në hit të eksporteve gjermane. E nuk është çudi që brenda një kohë të shkrutër në brigjet lindore gjermane të Baltikut ushtria gjermane së bashku me industrinë kanë ngritur në kohë rekord salla, hapësira shkollimi, qendra të posaçme trajnimi.

“European Air Defence Academy” bëhet realitet

Sipas qëndrimit gjerman sistemi Iris-T SLM do të duhet të bëhet pjesë e rëndësishme e mbrojtjes ajrore europiane. Kancelari gjerman, Olaf Scholz bëri të ditur në fjalimin e tij në Pragë para një viti se do të ngrihet iniciativa  “Europian Sky Shield” dhe me qendrën e trajnimit “European Air Defence Academy” ajo do të bëhet realitet. Sipas inspektorit të ushtrisë gjermane, Gerhartz sistemin Iris T-SLM do të duhet ta kenë sa më shumë vende. Ndërkohë 14 inspektorë ushtarakë nga e gjithë Europa e kanë viziuar qendrën e trajnimit pranë Baltikut dhe sistemin e mbrojtjes ajrore. Vetëm Franca, partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë ka munguar. Aty preferohen sisteme franceze./DW

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re