Rusia ka kontaktuar laboratorin IDT të Gjermanisë për të prodhuar vaksinën Sputnik V, tha ministria gjermane e shëndetësisë.

Instituti rus Gamaleya, i cili prodhon Sputnik V dhe fondi rus RDIF janë të interesuar të bashkëpunojnë në prodhimin e mundshëm dhe kanë kontaktuar IDT Biologika, në Gjermaninë Lindore, i tha AFP një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri Jens Spahn thotë se Gjermania është një “ndërmjetës” për kërkesën e Rusisë për të studiuar mundësinë e prodhimit të vaksinës në Gjermani dhe gjetkë në Evropë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të martën se ajo ishte “e hapur” për përdorimin e vaksinës ruse në Evropë, në varësi të miratimit të qeverisë.

“Çdo vaksinë e miratuar nga EMA (Agjencia Evropiane e Barnave) do të jetë absolutisht e mirëpritur dhe unë kam biseduar për këtë me  Vladimir Putinin,” i tha ajo televizionit gjerman ARD.

Procesi i miratimit të kësaj vaksine në EMA është duke u zhvilluar, për përdorimin e saj të mundshëm në Bashkimin Evropian.

Tani për tani, përveç Rusisë, vaksina Sputnik V prodhohet edhe në Kazakistan, Indi, Kore të Jugut dhe Brazil.

Kremlini tha të mërkurën se pret që vaksina të prodhohet në vende të tjera “në një të ardhme shumë të afërt”.

Vaksina ruse, e cila deri më tani ka shkaktuar polemikë, është efektive në 91.6 përqind të rasteve kundër formës simptomatike të sëmundjes COVID-19, raportoi të martën revista mjekësore Lancet, duke iu referuar vlerësimit të ekspertëve të pavarur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re