Në vitin 2017 autoritetet gjermane i ofruan ndihmë një të dyshuari terrorist të DEASH-it për të udhëtuar në Turqi pa informuar paraprakisht autoritetet turke, por plani dështoi pasi atij iu refuzua viza.

Siç raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA, 20-vjeçari Abdullah Al Haj Hasan, i cili sulmoi me thikë një person për vdekje dhe plagosi rëndë një tjetër në Dresden në fillim të këtij muaji, prej kohësh ka qenë nën mbikëqyrje nga agjencitë gjermane të sigurisë.

Siç raportojnë mediat lokale, disa muaj pasi ai kërkoi azil në vitin 2016, i dyshuari sirian u identifikua si një “person potencialisht i rrezikshëm” nga autoritetet gjermane.

Por në vitin 2017, pa informuar paraprakisht zyrtarët turq për lidhjet e tij të dyshuara me DEASH-in për të shmangur ndonjë problem, autoritetet gjermane i ofruan atij ndihmë për të udhëtuar në Turqi ku ai do të mund të qëndronte me motrën e tij.

DPA raportoi se plani për të udhëtuar në Turqi dështoi pasi kërkesa e tij për vizë u refuzua nga Turqia.

Sipas raportit të agjencisë gjermane të lajmeve, autoritetet gjermane planifikonin të informojnë homologët e tyre turq në lidhje me dosjen e 20-vjeçarit pas mbërritjes së tij në Turqi.

Ankara prej kohësh ka kritikuar vendet evropiane për mungesë të bashkëpunimit në çështjet e sigurisë dhe për ngurrimin e tyre për të marrë masa serioze kundër luftëtarëve të huaj.

Sipas vlerësimeve nga Europol, që nga fillimi i luftës civile siriane në vitin 2011, pothuajse 5 mijë luftëtarë të huaj udhëtuan nga Bashkimi Evropian (BE) në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re