Gjermania ka përshëndetur masën e Turqisë për të miratuar dispozitat e Konventës së Montreux-it, duke kufizuar kalimin e anijeve luftarake në Detin e Zi si përgjigje ndaj luftës Rusi-Ukrainë.

“Gjermania vlerëson rolin vendimtar të Turqisë, veçanërisht në këtë kohë të vështirë, si kujdestare e Konventës së Montreux-it, e cila rregullon kalimin përmes ngushticës së Bosforit dhe Dardaneleve (Çanakalasë), gjithashtu në një kohë lufte”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

“Faleminderit për sigurimin e zbatimit të vazhdueshëm”, shtoi ministria gjermane.

Dje, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se Ankaraja u ka dërguar njoftime zyrtare vendeve përkatëse dhe ka sqaruar çështjet në lidhje me zbatimin e Konventës së Montreux-it.

Çavuşoğlu tha se Rusia javën e kaluar dëshironte të kalojë tranzit katër anije detare në Detin e Zi, por tre prej tyre nuk ishin të regjistruara në bazat vendase të Detit të Zi.

“Ne i thamë Rusisë që të mos i dërgonte këto anije dhe Rusia na tha se këto anije nuk do të lundrojnë nëpër ngushticat”, tha ai.

Konventa e Montreux-it e vitit 1936 i jep Turqisë autoritetin për të kufizuar kalimin e anijeve detare nëpër ngushticat turke në kohë lufte. Sipas neneve të konventës, anijet luftarake ruse që kthehen në portin e tyre të origjinës janë të përjashtuara nga kufizimet.

Që kur Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës të enjten e kaluar, Moska është pritur me dënime nga komuniteti ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), Mbretërinë e Madhe, Kanadanë, Japoninë dhe SHBA-në që kanë zbatuar një sërë sanksionesh financiare ndaj Moskës.

Shumë vende perëndimore po ashtu po furnizojnë Ukrainën me armë, kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për linjat ajrore ruse dhe kanë ndaluar ose kufizuar mediat shtetërore ruse.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNHCR), numri i njerëzve që kanë ikur nga Ukrainë në vendet fqinje ka arritur në 677 mijë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re