Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja inspektuan punimet për rehabilitimin e plotë të rrugës në fshatin Kusarth në Njësinë Administrative Bradashesh.

Numri dy i socialistëve theksoi se PS kërkon mbështetjen e qytetarëve për të vijuar me investimet në të gjithë Elbasanin.

 

“Qëllimi i këtyre zgjedhjeve është që këto punë të nisura ne t’i vazhdojmë t’i shtrijmë në të gjithë Elbasanin. Roli i kryetarit të bashkisë ky është të bëjë punët e përditshme, të kujdeset për qytetarët, të jetë ‘shtëpia’ e të gjithë elbasanllinjve që trokasin aty për problematikat. Ne jemi ekip, kemi qeverinë. Elbasani të mirëadministrojë taksat e qytetarëve dhe t’i kthejë në këto investime të vogla në fshat dhe qytet, gjë që Gledi po e bën shumë mirë. Nga ana tjetër qeveria qendrore sjell investimet e mëdha siç po bën me “Automotoparkun”, siç po bën me rrugët, siç po bën me fondet me kanalizimet me ujësjellësat”, theksoi ai.

 

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut siguroi për mbështetjen e bashkisë së Elbasanit nga ana e qeverisë.

“Kandidati i bashkisë nuk është vetëm, por ka ekip, ka qeverinë, ka projekte, ka vizion për Elbasanin. Prandaj unë mendoj dhe shpresoj që njerëzit të na japin mbështetjen për të vazhduar punën për të mirat e Elbasanit. Nëpërmjet punës që po bën kryetari i bashkisë, bashkë me gjithë ekipin, me deputetin, të gjithë siç jemi t’i shtyjmë përpara të gjitha këto punë sepse kemi dhe mbështetjen e qeverisë”, deklaroi Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se opozita nuk ka asnjë ofertë konkrete për banorët e Elbasanit.

 

“Krahu tjetër ka vetëm një moto: si të sjellim revolucionin e foltores nga Tirana në Elbasan. Elbasanllinjtë s’para i kanë qejf këto. Elbasanllinjtë duan jetën e qetë, nuk duan betejat politike, nuk duan këto luftërat e Tiranës. Duan të përmirësojnë jetën e tyre, ta bëjnë Elbasanin e bukur”, deklaroi numri dy i socialistëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re