Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan bashkë me Kryetarin e Bashkisë, Gledjan Llatja, ministren Kushi dhe deputetë mori pjesë në ceremoninë përkujtimore organizuar në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit në kuadër të “5 Majit”, Ditës së Dëshmorëve.

 

Gjiknuri theksoi se për PS, “5 Maji” është një ditë e shenjtë dhe shembull frymëzimi për brezat. “Për Partinë Socialiste kjo është ditë e shenjtë. është ditë e sakrificës. është dita ku vetëmohimi dhe sakrifica e kombit shqiptar materializohet te këta të rënë që në kulmin e rinisë së tyre dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

 

Ky është një shembull që duhet ti frymëzojë të gjithë shqiptarët se më të rëndësishëm sesa kombi nuk ka. Këto varreza janë dëshmi e qartë sesi kanë sakrifikuar brezat e mëparshëm për Shqipërinë që kemi sot. Kështu që unë dua t’ju uroj të gjithë shqiptarëve dhe gjithë familjarëve të të rënëve, edhe në familjen time ka pasur të rënë të luftës, ti kujtojmë me respekt sakrificat e këtyre brezave”, theksoi Gjiknuri.

 

Duke iu përgjigjur interesit të medias në lidhje me zgjedhjen e kreut të shtetit, Gjiknuri nënvizoi se PS ka filluar një proces konsultimesh dhe me opozitën në parlament. Sekretari i Përgjithshëm shprehu bindjen se Partia Socialiste do t’i ofrojë presidencës dhe gjithë shqiptarëve një kandidaturë të denjë për kreun e ri të shtetit.

 

Prononcimi:

Pyetje: A pritet të ketë ndryshime në qeveri gjatë Asamblesë?

 

Përgjigje: Unë nuk e di të jetë diskutuar për ndryshime në qeveri. Kjo është një çështje që duhet pyesni kryeministrin. Kjo nuk është pyetje që duhet t’ia bëni Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste. Kështu që është një temë që nuk më intereson për momentin.

 

Pyetje: Me sa kandidatë do të shkojë Partia Socialiste në raundin e parë?

 

Përgjigje: Partia Socialiste ka filluar një proces konsultimesh dhe me opozitën. Është një proces që sapo ka nisur. Ju e dini që dje u dakordësua një kalendar eventesh. Besoj se do të ulemi në tryezë për të diskutuar profilin e kandidatit më të përshtatshëm për President. Për aq kohë sa jemi në vigjilje të fillimit të negocimeve, nuk do të ishte me vend që Partia Socialiste të dilte me kandidatë të saj menjëherë.

 

Pyetje: A ekziston mundësia që të shkoni pa emra në raundin e parë?

 

Përgjigje: Këto janë mundësi kushtetuese, i ka parashikuar Kushtetuta. Kështu që unë mendoj se pyetja nuk shton ndonjë vlerë më shumë nga ajo çfarë shkruhet në Kushtetutë. Natyrshëm, Partia Socialiste do ta bëjë vendin me President. Kushtetuta e mundëson një gjë të tillë. Mjaftojnë edhe 71 vota, nëse nuk ka konsensus të gjerë, ndaj jam i bindur se Partia Socialiste do t’i ofrojë presidencës dhe gjithë shqiptarëve një kandidaturë shumë të denjë për kreun e shtetit.

 

Pyetje: Dje ftuat z. Alibeaj të ulet në tryezë për diskutime a keni marrë një përgjigje?

 

Përgjigje: Mesa jam i informuar, unë nuk isha dje në atë tryezë, tryeza ka qenë publike palët kanë rënë dakord që të ulen. Ne si grup negociator jemi të gatshëm të ulemi me ta për të filluar procesin e diskutimit me përfaqësuesit e opozitës në Parlament. Nuk duam të dalim direkt me emra sepse e rëndësishme është që ne të biem dakord për një profil dhe jam i bindur se opozita mund të kontribuojë në këtë drejtim.