Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri mori pjesë në Forumin Socio – Ekologjik, i pari forum i nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor.

Gjiknuri ishte pjesë e panelit të diskutimit me temë “Një transformim i drejtë për një Europë të vetëmjaftueshme me energji”, bashkë me Presidentin e Fonadcionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, z.Martin Schulz; kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti; kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski; ish-Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, znj. Ann Linde dhe eksperten e energjisë, znj. Hristina Spasevska.

Në fjalën e tij, Gjiknuri nënvizoi se dryshimet klimaterike janë një faktor i rëndësishëm dhe shtroi nevojën për një integrim më të mirë mes vendeve të ndryshme të Ballkanit dhe në sektorin energjitik.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë mendoj se duhet të jetë politika kryesore e shumë vendeve të Europës, përfshirë këtu dhe Rajonin tonë, si një i tërë. Rajoni ynë ka një avantazh të madh, që ka shumëllojshmëri burimesh, të cilat ne si Ballkan Perëndimor mund t’i kombinojmë dhe të shëndërrohemi në një vend relativisht tërheqës për investimet e huaja për të rritur kapacitetet prodhuese. Shqipëria ka avantazhet e veta, Kosova ka avantazhet e veta, RMV ka avantazhet e veta, pra të gjitha vendet mund të kontribuojnë me resurset e tyre, por për këtë na duhet një mekanizëm më i mirë integrimi dhe një treg i përbashkët, e mendoj se ky duhet të jetë qëllimi ynë kryesor”, tha ai.

Numri dy i socialistëve deklaroi se kriza energjitike e lidhur me agresionin rus në Ukrainë ka nxjerrë në pah, mes të tjerash, nevojën për politika të reja rregullatore në nivel europian.

“Siç na tregoi dhe lufta në Ukrainë, kjo strategji nuk funksionoi, dhe arritëm në një pikë ku shumë vende europiane, përfshirë Gjermaninë, ku si pasojë e rrezikut mbi sigurinë e furnizimit me energji, qeveria gjermane u detyrua të ndërhynte dhe shtetëzonte asetet energjitike. Askush nuk e kishte menduar se do të vinte një ditë e tillë në Bashkimin Europian që qeveritë do të ndërhynin në asete që i përkasin tregut privat. Këto janë këmbanat që paralajmërojnë se prodhimi i energjisë nuk mund të trajtohet si çdo aset tjetër, dhe t’i lihet në dorë tregut. Mendoj se ky duhet të jetë qëllimi kryesor i politikave europiane dhe i atyre të ndërmarra nga çdo qeveri; mbase dhe në një bashkëpunim edhe më të gjerë”, theksoi ai.

Gjiknuri shtoi në fjalën e tij se Bashkimi Europian duhet të financojë më shumë për infrastrukturën energjitike në rajon.

“Çfarë ne si Ballkan Perëndimor në bashkëpunim me Bashkimin Europian mund të bëjmë, është integrimi i sektorit të energjisë. Europa në të kaluarën është zotuar disa herë, që do të investojë në infastrukturën e energjisë dhe integrimin e sistemeve energjitike në këtë Rajon. Nëse nuk e arrijmë këtë, kjo do të përbëjë një sfidë të madhe për gjithësecilin nga vendet, të cilat janë pjesëmarrëse këtu sot, ndaj një qasje gjithëpërfshirëse, globale, është shumë e rëndësishme. Gjithashtu në rradhë të dytë, në dimensionin social, siç thashë edhe më parë, që nuk besoj se energjia duhet lënë plotësisht në dorë tregut të lirë, pasi në kohë krize, siç e kemi parë, barra i transferohet shtresave më vulnerabël”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.

Numri dy i socialistëve solli shembullin e Shqipërisë që nuk ka lejuar që rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare të prekë konsumatorët familjarë.

“Qeveritë duhet të luajnë një rol të rëndësishëm për të shmangur çfarë përmenda më sipër, siç qeveria jonë në Shqipëri ka bërë, për të ruajtur një çmim të qëndrueshëm për konsumatorët familjarë, duke e transferuar këtë barrë në buxhetin publik; Për mua ky është një vendim i duhur dhe i domosdoshëm teksa cënohet stabiliteti dhe demokracia e vendeve tona. Nëse lejojmë që çmimet e larta dhe inflacioni të godasin rëndë mbi qytetarët tanë dhe të ardhurat e tyre, kjo mund të kthehet në një krizë për demokracinë. Ruajtja e stabilitetit është thelbësore. Rritja ekonomike është shumë e rëndësishme, por pa patur stabilitet nuk ka asnjë vlerë”, deklaroi Damian Gjiknuri.

https://berati.tv/wp-content/uploads/2023/02/makina-me-qera.png