Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri shprehu kënaqësinë për reflektimin e opozitës që kërkoi rifillimin e punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.
Ai konfirmoi praninë në mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e hënë, datë 11.05.2020, ora 10:00, por përmes hapësirës digjitale.
“Pasi u njohëm përmes medias me letrën tuaj, shprehim vlerësimin tonë për gatishmërinë e shprehur prej jush për të rifilluar punën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.
Ky qëndrim i ri i juaji, duhet përshëndetur si një reflektim serioz në raport me deklarimet tuaja publike të bëra ditët e fundit dhe ne e përshëndesim pa rezervë.
Duke shprehur plotësisht gatishmërinë tonë për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës të dialogut dhe diskutimin në kuadër të tryezës së Këshillit Politik, shprehim edhe urimin tonë që përmes punës së përbashkët, brenda muajit maj të gjejmë edhe dakordësinë e plotë për draftin që do t’i shkojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë.
Ne konfirmojmë praninë në mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e hënë, datë 11.05.2020, ora 10:00, të cilën në kushtet e diktuara nga COVID-19, mundësisht ta zhvillojmë përmes hapësirës digjitale.”, ishte përgjigja e Gjiknurit.
