Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me strukturat e kësaj force politike në Selanik.

 

Teksa i informoi për zhvillimet në vendin tonë, Gjiknuri theksoi se kjo mazhorancë ka bërë shumë për shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por dhe për komunitetin në Greqi. Ai theksoi se alternative politike përballë përfaqësohet nga Saliu dhe nga Iliri të cilët i kanë shkaktuar shumë fatkeqësi këtij vendi.

 

“Po bashkohen Saliu me Ilirin. E vjetra janë ata, fatkeqësi që i vijnë nëpër këmbë këtij populli. Ti nuk i ndryshon dot mendjen. Ai është një fakt me të cilin ne duhet të merremi këtej e tutje. Kjo qeveri ka bërë shumë. Puna është: a jemi ne më të zotët? A jemi ne më të mirët? Besoj se po. A duhet të ishim ne, shumë më të mirë? E mira nuk ka kufi. Por mendoni se çfarë keni nga krahu tjetër! Ju, si edhe shumë shqiptarë të tjerë, duhet të jeni barrierë e çdo lloj të papriture, që vetëm dëm i bën Shqipërisë”, tha ai.

 

Numri dy i socialistëve nënvizoi se PS i ka kushtuar një vëmendje të veçantë emigrantëve. Gjiknuri shtoi më tej se ka qenë pikërisht PS ajo që ka punuar fort që emigrantët të fitojnë të drejtën e votës dhe të jenë një zë i rëndësishëm në vendimmarrje.

 

“Për diasporën është bërë shumë. Fakti që Partia Socialiste luftoi fort për ta përfshirë votën tuaj, për ta bërë pjesë, për ta lehtësuar që të votoni këtu ku jeni, do t’ju bëjë faktor të rëndësishëm. Jeni me mijëra e mijëra këtu në Greqi dhe Itali. Imagjinoni sikur 40 mijë shqiptarë që jetojnë në Greqi, të jenë aktivë në votë, ju përcaktoni fatet e zgjedhjeve”, tha ai.

 

Gjiknuri ftoi komunitetin shqiptare që jeton dhe punon në Greqi për një pjesëmarrje më të madhe në jetën politikë, teksa theksoi se te PS do të gjejnë gjithnjë një derë të hapur.

 

“Aktivizimi i njerëzve në politikë mund të sjellë dobishmëri në dy drejtime: Së pari në drejtimin që të ndikoni më shumë në politikën shqiptare dhe Partia Socialiste ju mirëpret krahëhapur. E dyta, jam i bindur që një pjesë e juaja, që janë me dyshtetësi greke dhe shqiptare, duke pasur aktivizëm politik, do të ndikojë tek marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Ne po luftojmë shumë si qeveri të bëjmë njohjen reciproke për kontributet e sigurimeve shoqërore për pensionet”, nënvizoi Damian Gjiknuri.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë