Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri priti sot në një takim të veçantë Martin Schulz, një mik i Shqipërisë, aktualisht President i Fondacionit gjerman Friedrich Ebert, ish-kryetar i socialdemokratëve gjerman dhe ish-President i Parlamentit Evropian.

Teksa e falënderoi për kontributin e tij konstant në shtyrjen përpara të proceseve integruese të Shqipërisë, Gjiknuri u shpreh se gjatë takimit është diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit mes Fondacioneve “Qemal Stafa” dhe “Friedrich Ebert”, ashtu sikurse bashkërendimin e qëndrimeve midis partive evropiane simotra dhe organizimin shumë shpejt në Tiranë të një konference ndërkombëtare me fokus integrimin.

“Z. Schulz është një nga personalitet e mëdha të politikës gjermane, ka qenë ish – President i Parlamentit Europian, drejtues i grupeve social – demokrate të majta, është një bashkëpunëtor i afërt i Partisë Socialiste, i qeverisë shqiptare, një mik i joni. Siç edhe e tha vetë, jemi duke punuar së bashku me Fondacionin “Friedrich-Ebert” në lidhje me politikën e jashtme, sfidat që po kalon Shqipëria në këtë periudhë, që kalon Ballkani Perëndimor dhe pse jo të rrisim bashkëpunimin në të gjitha nivelet Europiane. Bashkë me Fondacionin “Friedrich-Ebert” ne po përgatitemi të zhvillojmë një konferencë të madhe në lidhje me të majtën progresiste dhe idetë për të majtën sidomos me fokus Bashkimin Europian dhe sfidat që kalon Ballkani Perëndimor. Gjithashtu, z. Schulz, ka parë shumë ndryshime në Shqipëri, është një mbështetës i madh i politikave tona. Gjithçka është evidente që Shqipëria ka ndryshuar dhe meriton të ecë përpara”, tha Damian Gjiknuri.

I pyetur nëse në konferencën që do të mbahet në Tiranë për të majtën do të ftohet dhe Ilir Meta, numri dy i socialistëve tha:

 

“Ilir Meta është i rreshtuar me koalicionin e së shkuarës dhe nuk ka më lidhje me të majtën. Dhe besoj se ju e dini që ai nuk është më pjesë e grupeve progresiste dhe nuk përfaqëson asgjë për të majtën. Madje dhe emrin e partisë e ka ndryshuar, kështu që e ka zgjidhur këtë dilemë vetë dhe nuk ka nevojë ta komentojmë ne këtu”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re