Akademiku Artan Fuga ka denoncuar faktin se politika po pushton Akademine e SHkencave përmes një puçi intitucional.

Në një komunikatë për mediat, Fuga duke I bërë thirrje të gjithë klasës politike në vend por dhe asaj ndërkombëtare, shprehet se Akademia po vihet në funksion të politikës gjë që sipas tij nuk ka ndodhur as në kohën e diktaturës.

Duke u ndalur tek njoftimi për zhvillimin e zgjedhjeve në Akademi, Fuga shprehet se e vetmja kandidaturë e paraqitur është ajo e Skënëder Gjinushit I cili njëherësh është dhe kryetar I PSD.

Fuga I bën thirrje të gjithë akademikëve por edhe ambasadorit të BE që të ndalet kjo farsë pasi Akdemia, sipas tij, po kthehet në një monedhë shkëmbimi midis disa grupimeve politikanësh dhe burokratësh në pushtet.

Ai hedh akuza gjithashtu edhe në drejtim të ministres së arsimit Besa Shahini që po e lejon këtë gjë si dhe në drejtim të deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Milva Ikonomi që po veprojnë, siaps tij, kundër ligjit.

Komunikatë për median : 17 maj 2019

 

Për njoftim : Komunitetit shkencor të vendit

Kryetarit të delegacionit të BE në Tiranë : z. Luigi SORECA

Presidentit : Z. Ilir Meta

Kryetarit të Kêshillit të ministrave : Z. Edi Rama

Kryetarit të Kuvendit : Z. Gramoz Ruçi

Kryetarit të opozitës : Z. Lulzim Basha

—————————————-

 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton zyrtarisht se në datën 24 maj do të kryhen zgjedhjet për kryetar dhe ekipin e ri drejtues të saj. Pa u ndaluar aktualisht te fakti që zgjedhjet atje bëhen si gjithmonë pa kandidatura konkurrente, dhe realizohen sipas parimit të qëmotit, si farsë, ku kryetarit bëhet nënkryetar dhe nënkryetari ribëhet kryetar, veçoj se kandidatura e vetme për kryetar të Akademisë të Shkencave është paraqitur ajo e z. Skënder Gjinushi, aktualisht kryetar i Partisë Socialdemokrate, e shpallur në 30 prill si parti aleate në koalicionin ASE të forcave politike qeveritare, një politikan karriere prej disa dekadash.

Kam dyshimin e arsyetuar dhe mbështetur në fakte objektive e dokumente shkresore zyrtare se Akademia e Shkencave është bërë monedhë shkëmbimi midis disa grupimeve politikanësh dhe burokratësh në pushtet dhe grupit uzurpator të Akademisë të Shkencave.

« Na jepni drejtimin e Akademisë të Shkencave, t’ju japim mbështetje për zgjedhjet e ardhëshme politike për pushtetin lokal të 30 qershorit 2019 ! »

Eshtë fare e qartë që në kushtet e degradimit të plotë të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, të dështimit të procesit të reformimit të saj, politika ka vënë dorë, po merr drejtimin, po pushton duke uzurpuar edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë !

Politizimi i shkencës dhe i kërkimit shkencor është akt i fundit i këtij kobi kombëtar ! Mendja e shqiptarit do të drejtohet zyrtarisht nga politika ! Ndarja e pushteteve si vlera bazë e demokracisë pô dhunohet aq fort saqë nuk do të ketë më asnjë dallim midis drejtimit politik dhe gjykimit shkencor !

Brenda javës që vjen ky kob shpallet fakt i kryer me mbështetjen e atyre akademikëve që e pranojnë këtë për të ruajtur thjesht interesat e tyre egoiste, në kundërshtim të plotë dhe të hapur me parimet dhe vlerat e shkencës, sidomos me moralin e saj.

Eshtë një ngjarje e paprecedent që nga koha e themelimit të kësaj akademie ! Edhe në periudhën e diktaturës, qoftë edhe formalisht, kurrë Akademia e Shkencave nuk ka pasur në krye të saj një njeri politik, madje as anëtar partie, por personalitete shkencore, madje të parreshtuara hapur me pushtetin e kohës !

Politizimi i shkencës nëpërmjet kapjes nga politika e Akademisë të Shkencës është një parametër që mat shkallën e politizimit të institucioneve dhe përbën një puç institucional, duke anashkaluar të gjitha ligjet dhe parimet demokratike, duke i treguar grushtin e politikës të gjithë komunitetit shkencor të vendit.

Nuk është rastësi pushtimi i pritshëm i shkencës shqiptare nga politika. Ai po kryhet në kushtet kur rrugën ja ka hapur vetë ministrja e arësimit qytetarja Besa Shahini duke lënë në mes të rrugës detyrën e vet institucionale dhe duke shpalosur platforma personale antiinstitucionale të pambështetura në asnjë ligj, ja ka hapur rrugën grupi i deputetëve socialistë kryesuar nga deputetja qytetarja Eglantina Gjermeni, që duke shpërfillur komunitetin shkencor të vendit shpall si iniciativë ligjore të vetën faktikisht dokumentin e formuluar nga grupi i kryesuar nga z. Skënder Gjnushi, dhe me komplicitetin e drejtueseve të Komisionit parlamentar për edukim dhe mjetet e informimit publik, ku spikat përfaqësuesja e shumicës, qytetarja deputete Milva Ekonomi, ndërkohë që kryetarja e këtij komisioni, e opozitës së re, as nuk ndihet ta ndalojë farsën që bëhet nën hundën e saj.

Pas pushtimit të Akademisë të Shkencave nga ana e politikës, Kryetari i ri i kësaj akademie mund edhe të shpalli largimin nga kryesia e partisë së tij në aleancë me qeverinë, por kjo është tanimë pa asnjë vlerë edhe nëse ndodh !

Të gjitha procedurat e ndjekura prej muajsh kanë privilegjuar këtë akt pushtimi !

Duke qenë edhe kryetar i grupit reformues, caktuar po me urdhër politik nga ana e ministres të arësimit, Kryetari i pritshëm i Akademisë të Shkencave është në konflikt të hapur interesi që vetëm të marrët dhe uzurpuesit nuk do të duan ta shohin.

Reforma dhe marrja e pushtetit në Akademi bëhen kështu njësh !!! Kjo pikërisht e dështoi reformën e vërtetë të Akademisë të Shkencave në Shqipëri !

Në këto kushte, i angazhuar deri në fund për ta shpëtuar Akademinë e Shkencave nga rrënimi përfundimtar, pa interes të veçantë personal të asnjë lloji, pa konflikt interesi,

u bëj thirrje krerëve të shtetit shqiptar që ta ndalin këtë aventurë fatkeqe,

i bëj thirrje opozitës ta denoncojë politikisht këtë akt të paprecedent në asnjë nga akademitë e shkencave të Europës a të Botës,

i bëj thirrje zotit Lugi Soreca si përfaqësues i BE në Tiranë të ngrejë zërin kundër kësaj katastrofe që po ndodh në mes të ditës kundër vlerave europiane të marrëdhënieve mes shkencës dhe politikës,

i bëj thirrje komunitetit shkencor të vendit :

Ngrihuni më këmbë për të mbrojtur jo thjesht dinjitetin tuaj, por për të bërë detyrën për të cilën na paguan shoqëria dhe i detyrohemi kombit !

Përsa më takon, në ditët në vazhdim do të publikoj faktet e pakundërshtueshme të këtij pushtimi fatkeq të politikës ndaj simbolit të rrënuar të shkencës dhe dijes kombëtare !

 

Me respekt,

Artan Fuga