Skip to content

Gjirokastër, as urdhri i mbrojtjes nuk e ndalon 41 vjeçarin të qëllojë të shoqen

Një 41 vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj të shoqes. Gruaja me inicialet E.G kishte një urdhër mbrojtje përkundrejt 41 vjeçarit, i cili pavarësisht kësaj ka goditur sërish të shoqen.

“Specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin J. G., 41 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka ushtruar dhunë si dhe ka thyer urdhrin e mbrojtjes ndaj bashkëshortes së tij shtetases E. G.

Materialet në ngarkim të shtetasit J. G. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme”, njoftuan autoritetet.

Në këtë vit janë vrarë në Shqipëri 18 gra e vajza. Vrasjet e dhuna ndaj gruas vijojnë të mbeten një ndër plagët më të rënda të shoqërisë sonë.

Në Shqipëri, 1 në 2 gra përjeton njëlloj dhune gjatë jetës së saj, përfshirë dhunën në familje. Por afro 26% e femrave nga mosha 18 deri në 74 vjeç, besojnë se është e tupshme të flasësh apo denoncosh dhunën, veçanërisht atë seksuale.

Përgjatë këtij viti në polici janë denoncuar të paktën 3500 raste të dhunës në familje, ku shumica vijnë nga gratë. Numri i urdhrave të mbrojtjes po ashtu ka njohur rritje të dukshme (614 të tillë në harkun kohor janar- shtator 2021).