Skip to content

Gjirokastër/ U bllokuan në mal në Zagori, policia iu vjen në ndihmë tre personave! Njëri kishte rënë në përrua

Tre persona që kishin mbetur të bllokuar në malin mbi fshatin Ndëran në Zagori janë shpëtuar nga policia e Gjirokastrës. Njëri prej tyre kishte rënë në përrua.

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër/Punonjësit e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse iu shkojnë në ndihmë 3 shtetasve që kishin mbetur të bllokuar në malin mbi fshatin Ndëran, Zagori. Gjatë eksplorimit të zonës, njëri prej tyre kishte rënë në përrua dhe e kishte të pamundur lëvizjen.

Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka marrë njoftimin se në malin mbi fshatin Ndëran, njësia administrative Zagori, 3 shtetas, duke eksploruar me këmbë zonën, kishin mbetur të bllokuar pasi njëri prej tyre ishte rrëzuar në përrua.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë, në bashkëpunim me  shërbimet zjarrfikëse, emergjencat civile dhe me ekipin mjekësor, u nisën në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar 3 shtetasit. Shtetasi 70 vjeç që kishte rënë në përrua u nxorr nga aty në gjendje të mirë shëndetësore, iu dha ndihma e parë dhe më pas u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.

 

3 shtetasit falënderuan shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

 

Policia e qarkut Gjirokastër është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.