Skip to content

“Gjithnjë e më shumë dyer biznesesh po mbyllen”, Tabaku jep alarmin: Shtresa e mesme po sulmohet

640 0 b70715afa70265824888b5cd8acc70c6

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, në një postim në rrjetet sociale, shprehet se turizmi në Shqipëri po rritet me shumë turistë të huaj që vijnë për të parë bukuritë e vendit por, përkundër kësaj, bizneset e vogla shqiptare po pakësohen ndjeshëm.

Tabaku shton se po mbyllen gjithnjë e më shumë dyer biznesesh, kryesisht për shkak të taksave të larta, mungesës së mbështetjes dhe politikave të qeverisë socialiste që nuk favorizojnë sipërmarrjen e ndershme.

Ajo thekson se 8 nga 12 qarqe po përjetojnë rënie të fortë të bizneseve të vogla dhe shton më tej se sipërmarrja e vogël, shtylla kurrizore e ekonomisë, po sulmohet dhe pengohet, ndërsa shtresa e mesme lufton kundër monopoleve dhe një sistemi që favorizon vetëm pakicën.

Postimi i Tabakut:

Turizmi rritet. Gjithnjë e më shumë të huaj vijnë për të parë mrekullitë e Shqipërisë.

Por gjithnjë e më pak shqiptarë hapin biznese të vogla.

Gjithnjë e më shumë dyer mbyllen.

E dinë të gjithë: taksat e larta, mungesa e mbështetjes, dhe një qeveri socialiste që nuk e do sipërmarrjen e ndershme.

8 nga 12 qarqe të vendit kanë rënie të ndjeshme të bizneseve të vogla.

Ato që qeveria i quan “rritje ekonomike” janë vetëm fasada. Janë reklama. Janë mashtrime.

E vërteta është kjo: Shqipëria është në krizë.

Sa herë mbyllet një biznes i vogël, një familje futet në vështirësi.

Sa herë mbyllet një punishte, humb një lagje, zbehet një komunitet.

Shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare është sipërmarrja e vogël.

Dhe për qeverinë socialiste, kjo shtyllë është armiku numër një.

Sepse shtresa e mesme nuk është klienteliste. Nuk shitet. Nuk hesht.

Kundër monopoleve. Kundër shtetit të kapur. Kundër një ekonomie që punon vetëm për pakicën.