Skip to content

GJKKO dënon kunatin dhe shoferin e biznesmenit Rezart Taçi, ja nga sa vite burg do të vuajnë Balla dhe Lilo




Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka dënuar me burg shoferin dhe kunatin e biznesmenit të hidrokarbureve, Rezart Taçi.

Gjykata ka dënuar me 10 vite burg shoferin Bledar Lilo dhe me 11 vite burg kunatin, Artur Ballën.

Kujtojmë se Artur Balla dhe Bledar Lilo janë të akuzuar për “pastrim parash”.

GJKKO ka shqyrtuar akuzat për tentativën e Taçit me grupin e tij për të pastruar para në vendin tone, të një shifre mbi 18 milion euro. Përveç dy personave, të cilët morën dënimet përkatëse nga GJKKO, Taçi mësohet se për të realizuar skemën e pastrimit të parave kishte përdorur edhe katër shtetas italianë.

Njoftimi i GJKKO:

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtarë të palëve, vlerësoi në tërësi provat e administruara gjatë gjykimit në raport me parashikimet e ligjit procedural dhe material penal, Gjykata, bazuar në nenet 190, 379, 380, 389, 380 të Kodit të Procedurës Penale dhe neneve 1/c, 28/4, 47-50, 55, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal,

VENDOSI:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Sadedin Balla për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh), në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.
  2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Sadedin Balla, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
  3. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehur Artur Sadedin Balla dënohet me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.
  4. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Sadedin Balla i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
  5. Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Artur Sadedin Balla do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve  të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
  6. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh) në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.
  7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
  8. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehura Bledar Bardhyl Lilo dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vite burgim.
  9. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 ( gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
  10. Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Bledar Bardhyl Lilo do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve  të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
  11. Bazuar në nenin 190 pg 1, shkronjat a) dhe ç) të K.Pr.Penale dhe nenit 36, shkronja b) të Kodit Penal, lidhur me provat materiale të sekuestruara në kuadër të këtij procedimi disponohet si më poshtë:

11.1  Shuma monetare e sekuestruar prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e dyzet e një pikë pesëdhjetë) euro, ndodhur në llogarinë bankare me nr. AL969021128502810301775553537, llogari bankare ne emër të shtetasit Francesco Zummo pranë Alpha Bank sh.a, konfiskohet dhe kalon në favor të shtetit.

11.2 Sendet e sekuestruara (i) aparat telefoni i markës Iphone 11 pro max sekuestruar të pandehurit Artur Balla dhe (ii) aparat telefoni i markës Iphone 7 plus dhe aparat telefoni i markës Iphone A1897 sekuestruar të pandehurit Bledar Lilo, të qëndrojnë në fashikull për shkak të procedimit të ndarë.

  1. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake në masën 755,900 (shtatëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind) lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
  2. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

U shpall në Tiranë sot më datë 25.04.2023.

GJYQTARE                                         GJYQTAR                                  GJYQTARE

ATALANTA ZEQIRAJ                        ERJON ÇELA                             RUDINA PALLOJ

SKEMA SIPAS SPAK

SPAK deklaron se nga hetimet e nisura në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë zbuluar organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Skema financiare është drejtuar nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian, Fabio Petruzzella, të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli, si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi, i përfshirë në biznese në sektorin e naftës.

SPAK thotë se Taçi, në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie, ka angazhuar dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shqiptarëve të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht sipas SPAK-ut dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht.

Po sipas SPAK-ut gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera. Sipas Prokurorisë së Posaçme, “gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e dyzet e një) Euro, të bllokuara në një llogari bankare në një bankë të nivelit dytë në Shqipëri”.

ARRESTIMI NË ZVICËR

Njohja e Rezart Taçit si biznesmen lindi njëherësh me hapjen e pikave të karburanteve që mbajtën mbiemrin e tij, ndërkohë që në fakt emri i tij përmendej si një nga manjatët e naftës në vendin tonë.

Taçi u godit shumë vite më parë kur tatimet i bllokuan rafinerinë e hidrokarubureve.

Në vitin 2016, ai u arrestua në Zvicër me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve”  dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.

Ky hetim, kishte nisur pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin panamez me emrin “Ëallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”, të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009.

Tashmë do të jetë GJKKO që do të nisë gjykimin ndaj tij për tri veprat penale që ka dokumentuar SPAK.

“”