Gjykata kundër Korruspionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar për shpifje ish deputetin Artur Roshi.

 

Në një njoftim për media, GJKKO bën me dije se dënimi është dhënë për fyerje dhe gjoba kap vlerën e 500.000 lekëve.

 

Si rrjedhojë në bashkim të dënimeve, GJKKO caktoi  një dënim të vetëm  për ish-deputetin në masën 800.000 lekë gjobë, e cila të paguhet me këst 25.000 lekë në muaj në afatin 32 muaj.

 

Njoftimi i plotë: 

 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Nertina Kosova (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më datë 13.10.2022, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 51 akti, datë 13.07.2022, mbi ankimet e paraqitura nga ankuesi/i akuzuari A.R. si dhe nga ankuesi/viktima akuzuese A.C., kundër vendimit nr. 16, datë 01.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

 

“1. Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit A.R., për veprën penale “Fyerja”, parashikuar nga neni 119/2 i Kodit Penal, lidhur me publikimin në profilin e tij në facebook të datës 17.05.2020, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

 

2. Deklarimin fajtor të të akuzuarit A.R. për veprën penale “Shpifja”, parashikuar nga neni 120/1 i Kodit Penal, në dëm të viktimës akuzuese A.C., në lidhje me e-mail-in e datës 19.05.2020, dërguar në adresën e Drejtorisë Qendrore të {…} Bank, dhe dënimin e tij me 50.000 (pesëdhjetëmijë) lekë gjobë.

 

3. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të akuzuarit…”.

 

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

 

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 16, datë 01.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përsa i përket deklarimit fajtor të të akuzuarit A.R., për veprën penale të “Shpifjes”, parashikuar nga paragrafi 1 i nenit 120 të Kodit Penal.

 

– Ndryshimin e vendimit si vijon:

 

– Dënimin e të akuzuarit A.R. për veprën penale “Shpifje”, sipas paragrafit 1 i nenit 120 të Kodit Penal dhe dënimin me 500.000 (pesëqind mijë) lekë gjobë.

 

– Deklarimin fajtor të të akuzuarit A.R., për veprën penale “Fyerja”, sipas paragrafit 2 të nenit 119 të Kodit Penal dhe dënimin me 500.000 (pesëqind mijë) lekë gjobë.

 

– Në bashkim të dënimeve, caktohet një dënim i vetëm në masën 800.000 (tetëqind mijë) lekë gjobë, e cila të paguhet me këst 25.000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj në afatin 32 (tridhjetë e dy) muaj.

 

– Shpenzimet gjyqësore në masën 245.700 (dyqind e dyzetë e pesë mijë e shtatëqind) lekë i ngarkohen të akuzuarit A.R.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re