Gjykata e Posaçme nuk arriti dot të dilte dje me një vendim në lidhje me kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës së sigurisë për-ish kryeministrin Sali Berisha nga “Detyrimi për t’u paraqitur” në atë të “Arrestit në shtëpi”.

Shkak u bë kërkesa e avokatëve të ish-kryeministrit, që kërkuan kohë të njihen me kërkesën dhe pretendimet e SPAK se Berisha nuk zbatoi masën e parë të caktuar ndaj tij. Në nisje të seancës, avokatët kërkuan edhe njëherë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke argumentuar se këtë herë kanë siguruar prova që ajo është shkarkuar në vitin 1996, kur në krye të KLD së kohës ishte Sali Berisha.

Për këtë, avokatët e konsiderojnë Gjokën në kushtet e konfliktit të interesit. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës që të vendosë ndaj ishkryeministrit Sali Berisha masën e sigurisë “Arrest shtëpie” nën mbikëqyrje policore. Prokuroria e Posaçme (SPAK) në masën “arrest në shtëpi” ndaj ishkryeministrit Sali Berisha ka kërkuar që ky i fundit të mos ketë asnjë komunikim me persona të tjerë përveç atyre që jetojnë me të. Gjithashtu është kërkuar ruajtje me policë. Në dokumentin e siguruar nga “Panorama” thuhet po ashtu se adresa ku Berisha do duhet të qëndrojë është adresa e shtëpisë në rrugën “Mustafa Matohiti”.

“…Me masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: rruga ‘Mustafa Matohiti’, ndërtesa 36, hyrja 1, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë, duke u siguruar ruajtja e tij me punonjës Policie të Shtetit, si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, – thuhet në dokument.

Për mediat, avokati Genc Gjokutaj, tha se kërkesa për ruajtje me polici nuk ishte ligjore. Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj njoftoi dje pas seancës se kërkesa e SPAK për ashpërsim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore është joligjore, por hakmarrëse.

“Ndryshimi i masës së sigurimit është kërkuar me mbikëqyrje policore, çka tregon qëllimin e SPAK jo për të bërë një proces të ligjshëm, por për t’u hakmarrë sepse është e paparashikuar në ligj kërkesa që ka bërë SPAK. Në asnjë rast ligji nuk parashikon mbikëqyrje policore. Kur kërkesa është jo ligjore, nuk ka argument. Kërkesa e SPAK është në banesë, ne nuk kemi paraqitur kërkesë”, – deklaroi Gjokutaj.

Gjatë fjalës së tij, avokati Gjokutaj bëri me dije se kanë kërkuar të njihen më shumë me provat e paraqitura ditën e djeshme nga ana e prokurorëve, ndaj dhe seanca u shty për nesër në orës 11:00.

“Seanca e sotme (dje), siç ishte njoftuar, kishte të bënte më kërkesën e SPAK për ‘Arrest në shtëpi’ për Berishën. I kërkuam gjykatëses të jepte dorëheqjen me shkak të njëanshmërisë. Ajo nuk u shpreh as pro dhe as kundër. Para kishim dorëzuar kërkesën me të gjitha provat që provojnë faktin që Berisha ka qenë kryetar i KLD-së dhe në atë vit, gjyqtarja ishte shkarkuar. Vijoi seanca deri në momentin që shteruan kërkesën prokurorët dhe bëmë një set pyetjesh për të cilat ata bënë sikur dhënë përgjigje, por nuk u dhanë. Kërkuam të njiheshim me provat. Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për nesër (sot)”, – deklaroi avokati mbrojtës i ish-kryeministrit Berisha.

Seanca e radhës zhvillohet sot në orën 11:00. Avokatët mbrojtës të Berishës kërkuan dje kohë që të njihen me provat që SPAK relatoi në seancën në lidhje me thyerjen e masës së sigurisë dhe refuzimin e Berishës për të marrë njoftimet e gjykatës. Gjithashtu mbrojtja e ish-kryeministrit Berisha kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi pretendojnë për njëanshmëri nga ana e saj në procesin në ngarkim të Berishës.

Referuar të njëjtave burime, avokatët e Berishës kanë dorëzuar provat, që sipas tyre, faktojnë faktin e shkarkimit të gjyqtares Irena Gjoka në shkurt të 1996- ës nga KLD, ku kryetar ishte Sali Berisha. Mësohet se SPAK ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit. Berisha nuk e ka njohur vendimin e gjykatës që të paraqitej të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi është antikushtetues, pasi nuk ishte ndjekur rruga parlamentare. Kërkesa e SPAK u dorëzua në Gjykatën e Posaçme pasi Kuvendi i dha autorizimin Prokurorisë Anti-Korrupsion për heqjen e imunitetit të deputetit të Sali Berishës.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”. Kërkesa u dërgua në gjykatë, pasi SPAK mori autorizim nga Kuvendi, i cili votoi me 75 vota pro për heqjen e imunitetit të Berishës. Ky i fundit e ka quajtur një sulm politik ndaj tij vendimin, teksa pritet ende një reagim në lidhje shtyrjen e vendimit për ditën e sotme. Prokurori i SPAK, Arben Kraja tha para Kuvendit disa ditë më parë se do të kërkonin masë sigurie “Arrest shtëpie”, ose “Arrest me burg” për Berishën.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re