Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së, e cila i caktoi masën e detyrimit të paraqitjes, por edhe pengimit për të dalë jashtë vendit. Në një postim në rrjetet sociale, Beqaj shkruan se nuk ka pranuar të ankimojë vendimin, pavarësisht se këtë ia kanë sugjeruar.

Ai thekson se në fund të gjithë procesit, emri i tij do të pastrohet nga çdo akuzë, që siç shkruan është e pabazuar.

Beqaj ka shprehur gatishmërinë për të qenë në dispozicion të organeve të drejtësisë për të zbardhur të vërtetën.

“Edhe pse kam rezerva serioze lidhur me disa aspekte të vendimit në fjalë dhe avokatët e mi, në identifikim të një sërë shkeljeve procedurale dhe materiale që në këtë fazë të procesit më kanë sugjeruar ankimimin e këtij vendimi, unë kam vendosur të mos e ankimoj këtë vendim dhe ti nënshtrohem me vullnet të plotë kërkesave dhe garancive që ky proces hetimor kërkon për zhvillimin e tij normal dhe të rregullt. Disponibiliteti im karshi zbardhjes sa më parë të së vërtetës së kësaj çështje shkon përtej kufizimeve të lirive të mia vetjake dhe madje përtej një afati normal kohor, tashmë disa vjeçar”, thuhet ne reagimin e Beqajt.

Beqaj sqaron se vendimin e ka marrë mbrëmjen e djeshme, kur sapo është kthyer nga jashtë shtetit.

Ai thekson se për të garantuar integritetin e procesit hetimor dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm të ndikimit tim si zyrtar në këtë proces, ka vlerësuarqë të ndërpres angazhimin tim aktual si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Reagimi i Ilir Beqajt:

Mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas kthimit tim nga një udhëtim pune jashtë vendit, jam kontaktuar nga oficerë të SPAK/BKH, të cilët kërkuan paraqitjen time në mjediset e tyre, për të më komunikuar dhe dorëzuar një kopje të vendimit të datës 16.11.2023, të gjyqtarit të posaçëm, z. Erjon Bani, dhënë në bazë të kërkesës së bërë nga vetë organi i Prokurorisë, nëpërmjet të cilit ishte vendosur që për nevoja të procedimit penal nr. 13, të vitit 2020, që lidhet me çështjen e quajtur te sterilizimit, ndaj meje të merrej masa e sigurimit “detyrim për paraqitje në Policinë Gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Edhe pse kam rezerva serioze lidhur me disa aspekte të vendimit në fjalë dhe avokatët e mi, në identifikim të një sërë shkeljeve procedurale dhe materiale që në këtë fazë të procesit më kanë sugjeruar ankimimin e këtij vendimi, unë kam vendosur të mos e ankimoj këtë vendim dhe ti nënshtrohem me vullnet të plotë kërkesave dhe garancive që ky proces hetimor kërkon për zhvillimin e tij normal dhe të rregullt. Disponibiliteti im karshi zbardhjes sa më parë të së vërtetës së kësaj çështje shkon përtej kufizimeve të lirive të mia vetjake dhe madje përtej një afati normal kohor, tashmë disa vjeçar.

Përpos kësaj, për të garantuar integritetin e procesit hetimor dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm të ndikimit tim si zyrtar në këtë proces, kam vlerësuar gjithashtu që të ndërpres angazhimin tim aktual si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Unë shpresoj që kjo çështje të zgjidhet shpejt dhe në mënyrë të plotë, duke vënë drejtësinë dhe të vërtetën mbi çdo paragjykim dhe sulm politik. Besoj fort që ajo çka kemi arritur me sterilizimin ka qenë një domosdoshmëri dhe më e mira e mundshme që ne mund të bënim në realizimin e një objektivi të tillë ambicioz si kujdesi per shendetin e shqiptareve. Besoj fort që në fund të këtij procesi emri im do të pastrohet përfundimisht nga çdo akuzë e pabazuar.

SPAK ZYRTARIZOI HETIMET 

Ditën e sotme (18 nëntor) SPAK ka zyrtarizuar hetimet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj me masën e shtrëngimit të paraqitjes në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit si person nën hetim për shpërdorim detyre në procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Masat e sigurisë për Beqajn u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor.

Sipas njoftimit të SPAK, Beqaj është urdhëruar të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.

Gjykata theksoi në vendim se personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet të ketë kryer shpërdorim të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e Shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.

Hetuesit dyshojnë se Beqaj ka toleruar vlerësimet e komisionit për kostot e materialeve, të cilat më vonë kanë rezultuar të fryra.

Njoftimi i SPAK

Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:

Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..

Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).

Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re