Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Shkallës së Parë, që refuzoi lirimin e tij nga qelia. Çela kërkon zbutje të masës “arrest në burg” me arsyetimin e tejkalimin të afatit të shqyrtimit të çështjes së tij në Gjykatën e Apelit.
Aktualisht Çela po vuan një dënim me 3 vjet e 4 muaj burg dhënë nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ai ishte i bashkëpandehur në të njëjtin proces me ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas ligjit, thotë Çela, ai nuk mund të mbahet në burg, pasi nga dita e vendimit nga Apeli ka kaluar me shumë se një vit, ndërsa thekson se për këtë shkak afatet e paraburgimit e kanë humbur efektin. Dosja penale ndodhet në Gjykatën e Larte dhe pret për t’u shqyrtuar.
Çela dërgoi rreth një javë më parë kërkesë në GJKKO për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” ose “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”. Në kërkesën e tij, Jaeld Çela kërkonte nga gjykata konstatimin e shuarjes së afateve të paraburgimit dhe zëvendësimin e masës së sigurisë.
Ndër të tjera, Jaeld Çela sqaronte se kjo kërkesë vjen edhe nga fakti se vuan nga hernia fiskale lumbare dhe ka nevojë për fizioterapi e barna anti-inflamatore, regjim shtrati, injeksione selektive të rrënjëve të nervave me kortizonikë apo trajtim kirurgjikal. Në rast se këto trajtime nuk japin asnjë efekt, atëherë mundësia e vetme është ndërhyrja kirurgjikale.
Kujtojmë se ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela u vetëdorëzua vitin e kaluar. Ish zyrtari i lartë u dënua me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre. Çela, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe dy ish zyrtarët Sokol Bode dhe Gjergj Kohila akuzohen se ishin edhe pjesë e grupit të Habilajt që mbillte drogë në Shqipëri dhe e transportonte me skafe në Itali.
Çela u dënua në Shkallë të Parë për ‘Shpërdorim detyre’, vendimi u prish në Apel, që riktheu dosjen më pas për rigjykim. Për shkak të rekursit dosja ndodhet në Gjykatën e Lartë e cila ka qenë në pamundësi për ta shqyrtuar.
…
/faxweb