Skip to content

GJKKO jep masat e sigurimit, drejtoresha e AKSHI-t mbetet në “arrest me burg”

Ka përfunduar mbledhja në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u mor vendimi lidhur me masat e sigurisë për të akuzuarit lidhur me tenderat e AKSHI-t që janë nën hetim.

Mbas një procesi të tejzgjatur ndaj gjashtë personave, ku u verifikuan kushtet mbi të cilat ishte shpallur në mungesë masat e sigurimit, Gjykata e Posaçme la në fuqi arrestin shtëpiak për Mirlinda Karcanaj, drejtoreshë e përgjithshme e AKSHI-t, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim nga grupi kriminal.

E njëjta masë u aprovua edhe ndaj zëvendësdrejtoreshës Hava Delibashi, ndaj së cilës adresohen të njëjtat vepra.

Ndërsa për zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismailaj, gjykata ndryshoi qëndrim, duke i hequr masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit, por duke i lënë atë të pezullimit nga detyra.

Në fuqi u lanë edhe masat ndaj tre biznesmenëve, të cilët kanë në dosje edhe akuzën e pastrimit të parave.

HETIMET E SPAK

Kujtojmë qe te martën (16 dhjetor) SPAK dhe BKH goditen një grup të dyshuar kriminal, i cili akuzohet se manipulonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, përmes pengmarrjes apo dhunës.

Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshi drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zv. drejtoreshën Hava Delibashi të cilat u vendosën në “arrest shtëpie”.

Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin, një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i struktuaruar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.

“Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve,” thuhej në njoftimin e SPAK.