GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Togat e zeza morën vendimin për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit.

Më 2 shkurt, Gjykata e Posaçme ktheu për plotësim hetimesh çështjen ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit.

GJKKO urdhëroi Prokurorinë e Posaçme të plotësonte hetimet lidhur me dosjen për të cilën janë të pandehur Vangjush Dako dhe 10 zyrtarëve të tjerë, përpara se të vendoste nëse do të kalonte për gjykim apo jo, duke i dhënë SPAK 25 ditë kohë.

Gjyqtarja e Flojera Davidhi, i kërkoi SPAK të realizonte aktekspertimin për procedurën e prokurimit të shërbimit konsulencë për projektin e Promenadës Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila, për të cilën pretendon se iu rrit vlera me dhjetëfish duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.

GJKKO urdhëroi ngritjen e një grupi ekspertësh, të cilët do të përpilonin akt ekspertizën e kërkuar dhe do ta paraqisnin gjatë seancës së sotme (27 shkurt).

Ndërkohë togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij, duke e liruar nga qelia Vangjush Dakon.

AKUZA E SPAK PËR SHËTITOREN

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme ka rezultuar se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike.

Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi. Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.

Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale. Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë, Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej 18.318.400,2 lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.

NJOFTIM PËR MEDIAT

I pandehuri Vangjush Dako, më datë 26.02.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën me objekt: Konstatimin e mbarimit të afateve të paraburgimit të caktuar me vendimin nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, bazuar në nenet 237, 238, 261-264 të Kodit të Procedures Penale, si dhe në vendimin njësues nr. 00-2021-1134 i Vendimit (62), datë 01.11.2021 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke qenë se kanë përfunduar afatet e paraburgimit gjatë hetimeve paraprake, me vendimin Nr. 133, datë 27.02.2024, vendosi:
Pranimin e kërkesës së kërkuesit Vangjush Dako.
Konstatimin e mbarimit të afateve të paraburgimit të caktuar me vendimin nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimin nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (ekzekutuar më datë 06.06.2023), lënë në fuqi me vendimin nr. 33, datë 18.07.2023 të Gjykatës së Posaçme e Apelit, për të pandehurin Vangjush Dako, duke mbetur kështu masa e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale pa fuqi ligjore.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i pandehurit Vangjush Dako nga institucioni i paraburgimit, nëse ai nuk mbahet për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale, nëse ndaj tij nuk ka masë sigurimi tjetër dhe nëse ai nuk ka dënim tjetër të pa vuajtur.
Caktimin e masës së sigurimit ndaj të pandehurit Vangjush Dako, i biri i Ilias dhe i Llambrinisë, i datëlindjes 29 Nëntor 1966, atë të “Arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal, 2 (dy) herë,
Detyrohet i pandehuri Vangjush Dako të mos largohet nga banesa e tij me adresë: “Aleksandër Goga” Ndërtesa Nr. 24, Hyrja Nr. 1, Durrës.
Zbatimi dhe mbikqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e të pandehurit Vangjush Dako, në harkun kohor 24 (njëzet e katër) orë.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Shpenzimet gjyqësore mbeten siç janë bërë.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, duke filluar afati nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

 

Tiranë, më datë 27.02.2024

 

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re