Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë të ishkryeministrit Sali Berisha.

Gjykata ka urdhëruar kryedemokratin Sali Berisha që të paraqitet 2 herë në muaj pranë oficerit gjyqësor në SPAK. Kjo, pasi GJKKO i ka vendosur Berishës ditën e djeshme masën e sigurisë detyrim paraqitje. Berisha duhet që të shkoj çdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit në SPAK. Po ashtu, është theksuar se ndalohet që Berisha pa autorizimin e gjykatës të dalë nga vendi.

Sipas vendimit të GJKKO, “urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00 para oficeres së Policisë Fjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. “Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr.Penale “ndalimi i daljes jashtë shtetit. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për shtetasin nën hetim Sali Berisha”, – thuhet në vendimin e GJKKO për masën e sigurisë ndaj ish-Kryeministrit.

Mësohet se Berisha duhet të paraqitet para oficerit të Policisë Gjyqësore në datat 6 dhe 20 Nëntor. Ndërkohë, gjykata bën të ditur gjithashtu se dy avokatet e caktuar nga shteti për Sali Berishën, Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati janë tërhequr dhe nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes për ishKryeministrin.

Në këto kushte, GJKKO caktoi një tjetër avokate kryesisht, Valentina Todoreskun, e cila u njoh me aktet e dosjes dhe kërkoi që të revokohet masa e sigurisë. Por trupa gjykuese në dhomën e këshillimit mori vendim që ndaj Sali Berishës të qëndrojë në fuqi e njëjta masë sigurie, ajo e detyrimit të paraqitjes dhe mosdalje nga vendi. Ndërkohë, ishkryeministri Sali Berisha kërkoi dje përmes një kërkese përjashtimin e gjyqtares së kësaj çështjeje, Irena Gjoka, por GJKKO e hodhi poshtë kërkesë me argumentimin si “të pabazuar në prova dhe në ligj”.

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me procedurat e privatizimit të ishkompleksit “Partizani”, çështje për të cilën akuzohet edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili është me masë sigurie arrest në burg, si dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, me masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë Shqipërisë. Kufizimin e lirisë, Sali Berisha e konsideron antikushtetuese, pasi sipas tij SPAK duhet të kishte marrë më parë autorizim nga Parlamenti për t’i kufizuar lirinë një deputeti. Edhe seanca e djeshme u shoqërua me ngërçe, teksa avokatet e legjitimuara paradite, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, në nisje të seancës në orën 15:00, hoqën dorë nga mbrojtja. Për 2 orë e gjysmë, gjyqtarja Irena Gjoka, përjashtimi i të cilës sipas kërkesës së ish-Kryeministrit nuk u pranua, caktoi një tjetër avokate shteti, Valentina Todoresku.

Kjo e fundit pranoi të mbrojë interesat e Sali Berishës, duke zgjidhur ngërçin në të cilin ishte futur procesi prej 3 ditësh. Sipas vendimit të gjykatës, ish-kryeministri është i detyruar që të hënë e parë dhe të fundit të çdo muaji të paraqitet në Policinë Gjyqësore. Data e parë e paraqitjes së tij është 6 nëntori. Avokatët e zgjedhur nga ish-kryeministri, edhe pse u paraqitën në dy seanca, të mërkurën braktisën procesin duke e konsideruar si të paligjshëm sa kohë nuk iu pranuan dy kërkesa, më kryesorja ajo për dërgimin e vendimit për masën e sigurisë ndaj Berishës pa leje nga Kuvendi në Kushtetuese. Emri i Valentina Todoreskut ka dalë në dritë pas përfundimit të seancës.

“Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av.Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për t’u njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”, – thuhet në njoftimin e gjykatës. Vendimi për zëvendësimin e prokurorëve erdhi pas dy avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi braktisën sallën e gjyqit. Më pas, gjykata caktoi si mbrojtës avokatin Artan Simani, i paguar nga shtetit. Ky i fundit kishte bërë një status të papërshtatshëm dy ditë më herët për z.Berisha dhe më pas gjykata vendosi ta përjashtonte.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re