Dy ditë më parë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se kishte çuar në Gjykatën e Posaçme kërkesat për pezullim dhe nisje hetimesh për disa zyrtarë lokalë në Fier.

Në fakt, në fokus ishte emri i kreut të Prefekturës, por jo për shkelje aktuale në pozicionin që mban, por kur ka ushtruar detyrën e kryetares së Bashkisë së Patosit, detyrë që e la në majin e një viti më parë.

Ndërkohë që masat e dhëna nga gjykata janë ekzekutuar ditën e shtunë, Prokuroria bën me dije se ka vijuar hetimet për të mësuar më tej se si është bërë e mundur paracaktimi i firmës “Genti 001” në të dy raste parafitues, ndërkohë që procedurat në të dyja rastet e tenderëve që kanë çuar nën hetim zyrtarët kanë treguar se ai ka lidhur kontratë shumë më vonë se sa është bërë publike nisja e punimeve.

Firma “Genti 001” me administrator Ilir Dervishajn dhe vendndodhje në Zharrëz ka përfituar 32 kontrata nga Bashkia Patos. Duke iu referuar të dhënave të QKBsë për këtë kompani, mësohet se në fakt është regjistruar në fundin e qershorit të vitit 2019, ose vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të atij viti. Dhe menjëherë sapo është regjistruar ai rezulton edhe fitues tenderësh, edhe pse SPAK bën me dije se do të hetohen edhe ofertat e të dy rasteve që janë konstatuar deri në këtë fazë të hetimeve. SPAK bëri me dije se në fakt hetimet kanë nisur që në vitin 2021 për dyshime, por vetëm dy ditë më parë u arrit të ndërhyhej në vendimet që janë marrë që në vitin 2019 nga ana e kryebashkiakes së kohës në Patos, sot prefektë e gjithë qarkut Fier.

PROKURORIA E POSAÇME

Gjykata e Posaçme pezullon nga detyra prefekten e qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj. Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë po hetohet nga SPAK pasi gjatë kohës që ishte në krye të Bashkisë Patos, paracaktoi kompaninë “Genti 001” fituese para se të zhvillohej tenderi, duke kryer kështu shkelje të barazisë në tendera. Bëhet fjalë për një kompani, e cila rezulton me pronar 100% të aksioneve Ilir Dervishajn, që sipas SPAK, për tri vite rresht (2019-2022) është shpallur fituese në 32 procedura prokurimi të organizuara nga Bashkia Patos. Faktet penale të hetuara në kuadër të këtij procedimi penal kanë të bëjnë me dy procedura prokurimi të organizuara në vitin 2021 nga Bashkia Patos, si Autoritet Kontraktor. Një tender për ndërtim emergjent një muri mbajtës në rrugën Dukas-Breg, me fond 6.7 mln lekë dhe tenderi për ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, me fond 8 mln lekë. SPAK thotë se Balilaj ka bashkëpunuar me 6 zyrtarë të bashkisë gjatë kohës që ajo e drejtonte, mes tyre ish-nënkryetaren Anisa Petani, sekretarin e përgjithshëm, Shkëlqim Beqiri.

TENDERI 1

Firma “Genti 001”, fituese e paracaktuar në tenderin 6.7 mln lekë. Sipas SPAK, Balilaj për të favorizuar firmën “Genti 001” në tenderin për “Ndërtim emergjent të murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”. Nëpërmjet punonjësve të bashkisë ka marrë hapat për të legjitimuar anulimin e procedurës së tenderimit, për të mos u shpallur fitues operatorin tjetër, pasi nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën.

“E hetuara ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të bashkisë, për të legjitimuar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori ‘2…’, gjë që do të nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën. Nga hetimi u provua se e hetuara ka paracaktuar fituesin e këtij tenderi, pikërisht operatorin “G……. 001”, i cili është shpallur fitues (që nga viti 2019, kur ky subjekt është regjistruar për herë të parë në QKB deri në vitin 2022, pra për tre vjet) në 32 procedura të organizuara nga Bashkia Patos, thuhet në njoftimin e SPAK.

TENDERI 2

“Genti 001”, fituese e paracaktuar e tenderit 8.6 mln lekë! Tenderi 2 në të cilin ishte shpallur fituese po firma “Genti 001” është ndërtimi emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthim i rrugës në gjendjen e mëparshme”, në vlerën 8,634,380.435 lekë. Sipas SPAK, Balilaj është shfaqur në një kronikë televizive në televizionin “Apollon” të Fierit duke njoftuar fillimin e punimeve, ndërkohë që shpallja e fituesit është bërë realisht 10 ditë më vonë. Në këtë procedurë prokurimi, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, ish-kryetarja e Bashkisë Patos, R. B., ka paracaktuar fituesin i cili është i njëjti operator “G……. 001”, duke dalë në “Apollon TV” dhe informuar fillimin e punimeve për këtë rrugë, në datën 06.02.2021, në një kohë kur shpallja e fituesit “G……. 001” është bërë në datën 15.02.2021 dhe lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor është bërë në datën 16.02.2021″, – informon SPAK

TË HETUARIT E TJERË

Hetimet kanë nisur nga SPAK prej 2021 ndërsa vendimi i GJKKO-së u mor të premten, më 8 mars dhe masat e sigurimit ndaj gjashtë të hetuarve u ekzekutuan të shtunën, më 9 mars, nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Për një nga të hetuarit nuk është bërë i mundur ekzekutimi pasi ndodhet jashtë shtetit. GJKKO ka pezulluar nga detyra edhe Shkëlqim Beqirin, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Bashkisë Patos; Anisa Petani, ishnënkryetaren e Bashkisë Patos, aktualisht e punësuar pranë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Fier; Bora Murati, me detyrë specialiste në Drejtorinë e Urbanistikës, pranë Bashkisë Patos. Ka firmosur detyrim me paraqitje për tre të tjerë: Eneriada Rizai, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Vangjel Nushi, ishdrejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë Patos dhe Arben Manoku, me detyrë ish-inxhinier pranë Bashkisë Patos. Prefektja Rajmonda Balilaj ka hyrë në politikë në vitin 2000. U zgjodh në krye të Bashkisë së Patosit në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe u rizgjodh sërish në zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2019. Kryebashkiakja socialiste ka mbajtur këtë post 12 vite. Në zgjedhjet e vitit 2023 në krye të Bashkisë Patos u zgjodh Fatjon Duro, ndërsa më 20 dhjetor 2023 Balilaj u emërua prefekte e qarkut Fier.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re